Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Blerim Bexheti, duke e akuzuar se gjatë mandatit të tij nuk bëri asnjë hap konkret për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në një komunikatë të transmetuar nga MIA në formë integrale, VLEN thekson se Bexheti për 1058 ditë në krye të Ministrisë së Drejtësisë kishte kompetenca dhe mundësi të plota për ta zgjidhur këtë çështje, por sipas tyre, “heshti” dhe e la problemin të hapur, përcjell tetova1
“Ka një pyetje të thjeshtë për të cilën Blerim Bexheti i detyrohet përgjigje çdo studenti, juristi dhe qytetari shqiptar: çfarë bëri për 1058 ditë sa ishte ministër i Drejtësisë që provimi i jurisprudencës të mund të jepej edhe në gjuhën shqipe? Përgjigjja është e dhimbshme, por e qartë: ASGJË!”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga kjo koalicion akuzojnë Bexhetin dhe BDI-në për dështim në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, duke rikujtuar edhe një bisedë të publikuar më herët mes Bexhetit dhe Musa Xhaferit, ku dëgjohet shprehja: “Ajde se një shqiptar ma pak në prokurori nuk na çon në Xhenet”.
Sipas VLEN-it, kjo dëshmon mënyrën se si, siç thuhet në komunikatë, janë trajtuar shqiptarët për vite me radhë nga përfaqësuesit politikë të BDI-së. Ata shtojnë se nuk është rastësi që nuk u zgjidh as çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe se shumë vende pune që u takonin shqiptarëve përfundonin në pazare politike me pushtetin e atëhershëm.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për patriotë me afat zgjedhor. Shqiptarët kanë nevojë për përfaqësues që nuk i shesin interesat e tyre për karrige, pazare dhe mbijetesë politike”, theksohet më tej në komunikatë.
VLEN deklaron se është e vendosur të zgjidhë problemet që, sipas tyre, janë lënë pas dore për vite me radhë dhe se studentët, juristët dhe qytetarët shqiptarë meritojnë zgjidhje konkrete, e jo “patriotizëm të rremë dhe kauza të përdorura për konsum politik”.
“Koha e mashtrimeve ka përfunduar”, përfundojnë nga VLEN./tetova1.mk










