Gostivari hyn në një epokë të re politike, pasi koalicioni VLEN ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Sebaedin Dautit për kryetar komune në zgjedhjet lokale të tetorit. Vendimi u mor në një takim të mbajtur “në zemër të Gostivarit”, ku ishin të pranishëm liderët dhe funksionarë të tjerë të partisë.
“Liderët bashkërisht me funksionarë të tjerë të VLEN në takimin e mbajtur sot në zemër të Gostivarit, morën vendimin që duan qytetarët, që Sebaedin Dauti të jetë kandidati ynë për Kryetar Komune në zgjedhjet e ardhshme lokale. Me këtë vendim, VLEN jo vetëm që prezanton kandidatin më të denjë, por vulos fitoren e tetorit në çdo cep të Gostivarit”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Dauti është një profesionist i njohur në fushën e drejtësisë dhe sigurisë publike, me karrierë të gjatë si gjyqtar, kryetar i Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe prej më shumë se një dekade noter. Ai ka mbajtur edhe pozita të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në strukturat e rendit, ku është vlerësuar për aftësi drejtuese dhe vizion strategjik.
Sipas VLEN, Dauti është i njohur për “komunikim të hapur, vendosmëri dhe aftësi për të bashkuar të gjitha shtresat e shoqërisë”, duke përfaqësuar modelin e liderit modern që udhëheq me përgjegjësi.
Në fund të njoftimit, VLEN thekson: “Me Sebaedin Dautin në krye, Gostivari do të ketë udhëheqjen që meriton, transparente, të përgjegjshme dhe vizionare. Sot, VLEN i jep qytetit garancinë e fitores dhe fillimin e një epoke të re zhvillimi. Fitorja është e jona, tetori është i Gostivarit!”.







