Deponia e Strugës përbën minierë ari për thithjen e parave të komunës.
VMRO-ja akuzon pushtetin lokal se ka shpenzuar shuma të mëdha nga buxheti komunal në emër të mirëmbajtjes dhe ndërtimit të deponive, shkruan Alsat.
Pavarësisht premtimit të kreut të Komunës Merko se do ta zhvendoste deponinë, ajo prej vitesh nuk është pastruar dhe vazhdon ti helmojë struganët.
“Këtu lind problemi financiar dhe derdhja e parave të qytetarëve ku në gjashtë vitet e fundit shkon diku rreth 1 milion e 16 mijë euro. As deponia nuk është dislokuar e as efekti i ekzistencës së saj nuk është zvogëluar dhe shuma të mëdha parash janë dhënë në emër të mirëmbajtjes dhe ndërtimit të deponisë. Këto janë para me të cilat çdo komunë normale do të bënte diçka përgjithësisht të dobishme. Do të kishim kopsht fëmijësh, parking, do të kishim rrugë të rregulluara dhe ndriçim të rregulluar. Kështu përfundojnë paratë sikur janë derdhur në pus”, tha Nikolla Kukunesh, këshilltar nga VMRO DPMNE-ja.
Nga VMRO DPMNE-ja dyshojnë se këto para shpenzohen në të vërtetë, sepse thonë se e njëjta kompani me vite e mirëmban deponinë dhe mjetet për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e deponisë kalojnë në llogarinë e saj.
Komuna e Strugës nuk iu përgjigj akuzave të VMRO-së.
Ndërkaq, rasti gjyqësor për deponinë ka një vit që është në fazën e ankimimit në Gjykatën e Apelit në Manastir.
“Fatkeqësisht, po humbasim kohë të vlefshme për ta zgjidhur këtë problem. Në dy raste, si palë në procedurë, kemi reaguar me urgjencë në gjykatën e shkallës së dytë, ku kemi kërkuar qasje më serioze, përkatësisht prioritet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit publik në Strugë”, u shpreh Gligorie Kjatoski-avokat.
Në vitin 2021, Shoqata e Juristëve të Rinj ngriti padi kundër Komunës së Strugës, Ndërmarrjes Komunale nga Struga dhe Ministrisë së Mjedisit, sepse nuk kanë bërë asgjë për pastrimin dhe dislokimin e deponisë dhe qytetarët janë ekspozuar ndaj ndotjes ajrit që kërcënon shëndetin e tyre.
Ata kërkojnë që gjykata të ndalojë hedhjen e mbeturinave në afërsi të Strugës dhe të pastrohet dhe rivitalizohet zona./ Alsat.mk