Shtetet e Bashkuara kanë vendosur nën sanksione bankën turke Golden Global Bank, të cilën e akuzojnë se ka transferuar fonde në favor të autoriteteve iraniane dhe ka lehtësuar transaksione për Gardën Revolucionare të Iranit.
Vendimi u njoftua të premten nga Departamenti amerikan i Thesarit dhe vjen në kuadër të përpjekjeve të Washington-it për të shtuar presionin financiar ndaj Teheranit.
“Golden Global Yatirim Bankasi Anonim Sirketi (Golden Global Bank) dhe filialet e saj lehtësuan transaksione me vlerë dhjetëra milionë dollarë në emër të Gardës Revolucionare”, thuhet në njoftimin e Thesarit amerikan, sipas AFP-së.
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara pretendojnë gjithashtu se banka i ka mundësuar qeverisë iraniane “të transferojë fondet e saj ndërkombëtarisht”.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte paralajmëruar më herët gjatë kësaj jave se Washingtoni synonte të sanksiononte një tjetër institucion financiar për të shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit.
Gjatë samitit të ministrave të Financave të G20-s, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara në fillim të javës, Bessent kishte deklaruar se dy banka ishin nën vëzhgimin e autoriteteve amerikane, por pa bërë publikë emrat e tyre.
Vendimi ndaj bankës turke pason një tjetër masë të ndërmarrë një javë më parë. Departamenti i Thesarit njoftoi atëherë përjashtimin nga sistemi financiar amerikan të degës në Emiratet e Bashkuara Arabe të bankës shtetërore egjiptiane Misr, e akuzuar për përfshirje në shkëmbime financiare me Iranin.











