Kryeministri Hristijan Mickoski, përpara dorës së zgjatur nga opozitari Venko Filipçe për bashkëpunim në zgjedhjet lokale të tetorit, kërkon mbështetje mbarëshoqërore për kandidatët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM.
“Unë pres mbështetje shoqërore për kandidatët e koalicionit qeveritar, në të cilën gjendet VMRO-DPMNE, koalicioni Maqedonia e jotja, koalicioni VLEN, partia politike ZNAM, pasi që jam i bindur se politikat që i udhëheqë ky koalicion janë me të vërtetë politika në interes të qytetarëve”, tha Hristijan Mickoki, kryeministër.
Orce Gjorgjievski dhe Zllatko Perinski, janë dy emrat më të përfolur për disa muaj si kandidatë të mundshëm të VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit. Mickoski, thotë se deri më tani asnjëri prej tyre, zyrtarisht nuk ka shfaqur interes.
“Është mirë që të ketë interes, as njëri e as tjetri mua zyrtarisht nuk më ka thënë nëse është i interesuar të jetë pjesë e kandidatëve që do të jenë në anketat brendapartiake, por ja do ta dëgjoj këshillën tuaj, kur t’i fillojmë anketat për matjen e kandidatëve potencial për Qytetin e Shkupit do t’i përfshijmë edhe këto dy emra, krahas tjerëve”, tha Hristijan Mickoki, kryeministër.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe mbrëmë theksoi se deri në mes të prillit do të dihen emrat e kandidatëve të LSDM-së që do të garojnë për kryetarë komunash.
“Deri më 15-20 mars, do ta mbarojmë seleksionimin e kandidatëve të cilët do të shkojnë në anketa. Në anketë terreni në vendbanimet e tyre, kështu që në mes të prillit përqindja më e madhe e kandidatëve vetëm se do të dihen”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
VLEN në parim, do të del me kandidatë ku momentalisht partitë udhëheqin, megjithatë ende nuk ka vendim përfundimtar. Driton Selmani për Alsat, thotë se kanë filluar bisedimet mes partnerëve dhe po mundohen t’i zgjedhin kandidatët më të mirë.
“Koalicioni VLEN, ka filluar bisedimet për zgjedhjet e ardhshme lokale në të cilat ne gjithsesi se interesi dhe qëndrimi jonë është që të dalim bashkë në këto zgjedhje dhe ta sjellim ndryshimin, ashtu sikurse e sollëm në zgjedhjet e fundit parlamentare. Nuk mund të them saktë kur pritet epilogu i tyre”, theksoi Driton Sulejmani, VLEN.
Nga BDI-ja opozitare mbeten të paqartë se si do të garojnë në zgjedhjet e tetorit, duke e pasur parasysh se kryetari i saj, Ali Ahmeti, paraprakisht deklaroi që nëse Gjykata Kushtetuese do ta prek Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk do të ketë zgjedhje lokale. Kjo, u interpretua në opinion si opsion i mundshëm për bojkot, për çka ende nuk ka konfirmim nga integristët. /Alsat.mk