Hamas ka refuzuar planin për çarmatim të propozuar nga një figurë e lartë në përpjekjet e Presidentit Donald Trump për paqe në Gaza, ka thënë për BBC një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat.
Ai e ka akuzuar Nickolay Mladenov, përfaqësuesin e lartë për Gazën në Bordin e Paqes të udhëhequr nga SHBA, për anshmëri ndaj Izraelit. Muajin e kaluar, Mladenov kishte paraqitur një kornizë për demilitarizimin e Gazës si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur mes Hamasit dhe Izraelit në tetor.
Zyrtari ka thënë se Hamasi u ka bërë të ditur ndërmjetësve rajonalë se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për fazën e dytë derisa Izraeli të zbatojë plotësisht kushtet e fazës së parë.
Izraeli ka thënë se nuk do të ecë përpara pa progres në çarmatimin e Hamasit.
Një delegacion i Hamasit në Kajro ishte planifikuar të takohej të martën me kreun e inteligjencës egjiptiane para se të largohej.
Faza e parë e planit të paqes të Trumpit ndali luftën, ktheu të gjithë pengjet izraelite ende të mbajtur nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli dhe pa tërheqje të pjesshme të forcave izraelite nga Gaza, raporton BBC.
Në mes të janarit, i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, njoftoi nisjen e fazës së dytë të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës, por që atëherë ka pasur bllokim mes Izraelit dhe Hamasit. Faza e dytë synon t’i japë fund përfundimtar luftës pas çarmatimit të Gazës dhe tërheqjes së plotë të Izraelit.
Muajin e kaluar, Mladenov paraqiti një plan të detajuar që grupet e armatosura palestineze në Gaza të dorëzojnë armët e tyre – duke e lidhur këtë me fillimin e rindërtimit pas fushatës ushtarake izraelite që shkatërroi territorin. Lufta u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Gaza.
Që atëherë, më shumë se 72,330 persona janë vrarë nga veprimet ushtarake izraelite në Gaza – përfshirë 757 që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor 2025 – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi.
Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së: “Ne po presim që Mladenov të japë një afat të qartë kohor për përmbushjen nga Izraeli të detyrimeve të mbetura të fazës së parë, së bashku me garanci për ndalimin e shkeljeve izraelite, para se të fillojë çdo diskutim për fazën e dytë.”
Ai shtoi se fraksionet palestineze e konsiderojnë çështjen e armëve të lidhur me një zgjidhje gjithëpërfshirëse që garanton të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje, dhe jo me marrëveshje të pjesshme.
Ai theksoi se Mladenov beson se Izraeli nuk ka gjasa të pranojë krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Zyrtari tha se Hamasi dhe fraksione të tjera u kanë thënë ndërmjetësve në Kajro se nuk do të fillojnë bisedimet për fazën e dytë pa një “ndalim të plotë të shkeljeve, sulmeve, vrasjeve dhe urisë së vazhdueshme nga Izraeli”, si dhe zbatim të plotë të fazës së parë.
Sipas zyrtarëve, Hamasi po kërkon tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, së bashku me vendosjen e forcave ndërkombëtare të mbrojtjes për të ndihmuar policinë lokale në mbrojtjen e civilëve.










