Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi Sopi ka reaguar pas disa shkrimeve se Teatri i Tetovës këtë vitë ka më pak buxhet se vitin e kaluar. Ja reagimi i Memishit.
KULTURA KA QENË DHE VAZHDON TË JETË KEQ.
Një sqarim për opinionin pasi lexova disa reagime për buxhetin e teatrove..
Teatri i Tetovës vitin e kaluar ka qenë edhe më keq se këtë vit.
Vitin e kaluar Teatri i Tetovës ka patur buxhet 3.3 milion denarë, kurse këtë vit ka 4 milion denarë, por tema nuk është kjo.
I shkruaj këto shifra vetëm për korrektësi të opinionit; përndryshe Kultura shqiptare në RMV vite me radhë, mos them me dekada, është shumë keq.
E keqja nuk fillon te buxheti i projekteve, e keqja fillon te kushtet në të cilat punojnë institucionet e kulturës.
Ju e dini se Teatri i Tetovës gati 20 vite nuk arrinë të zhvillojë aktivitete gjatë dimrit sepse nuk mundet të sigurohet nxemje e mjaftueshme në sallë, që është e dhimbshme, mos them qesharake.
Ju e dini se Teatri i Tetovës e ndanë objektin me Pallatin e Kulturës, Bibliotekën e qytetit dhe Ansamblin muzikor, përjashto këtu edhe shumë OJQ të ndryshme, gjë që pengon në organizimin e punëve të të gjitha palëve.
Të njejtën gjendje në mos më keq është edhe Teatri i Gostivarit, Kumanovës etj.
Teatri për të rinj në Shkup nuk ka objekt ku t’i zhvillojë aktivitetet e tyre.
Kjo është e keqja më e madhe që i ndodh kulturës në pjesën shqiptare, buxheti pastaj dhe gjërat tjera janë një “luks”.
Nëse e doni vërtet Teatrin, do të kishit reaguar për objektin i cili duhet të renovohet ende pa hyrë në të, sepse ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara për ndërtim
Pa u krijuar kushtet që Teatrot dhe i institucionet tjera të mund të zhvillojnë aktivitetet 12 muaj brenda vitit, kot flasim për buxhete e programa vjetore.
Kam reaguar vite të tëra për këto gjëra, dhe do vazhdoj të reagoj derisa të gjejmë nji zgjidhje.
Nuk mund ta shohim kulturën si “tezga” për dikend; Kultura do tjetër qasje dhe shumë seriozitet, ajo na dhemb më shumë neve që merremi me këtë punë, sepse për të tjerët është një diçka terciare, e pa rëndësishme.
Si mundet vetëm objektet kulturore në Maqedoninë perendimore të kenë probleme me nxemjen?
Kultura është improvizuar vite apo mos them dekada me radhë, duhet njëherë e përgjithmonë që kjo gjë të rregullohet.
Nëse doni të flasim për këtë temë, që të shohim e diskutojmë se si zgjidhen këto probleme, do të ishte ideale; nëse doni të bëjmë politikë ditore, ju faleminderit, nuk jam i interesuar!