Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari theksoi sot se nuk do të lidhet kontratë me “Gjoka Construction”, kompaninë nga Shqipëria lidhur me menaxhimin e parkingut të Qendrës Klinike në Shkup, ku parashikohej një investim prej 10 milionë eurove me ndërtimin e garazheve në kate.
“Tenderin me shumë gjasa do ta anuloj. Kështu që ne si Ministri, tash për tash do ta stopojmë këtë proces dhe do ta shohim se si do veprojmë më tutje”, theksoi ministri Taravari në një konferencë me mediat.
Ai shtoi se me këtë veprim “po e liron opinionin”, pas reagimeve në publik, ndërsa shpjegoi se po shqyrtojnë dy zgjidhje.
Sipas tij, janë duke u shqyrtuar dy opsione për menaxhimin e parkingut.
“E para është që NP “Parkingu i Qytetit” të ndërtojë garazhe dykatëshe dhe t’i menaxhojë dhe e dyta është që ta bëjë Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qendrën Klinike”, theksoi Taravari.
Mediat raportuan javën e kaluar se operatori privat nga Shqipëria “Gjoka Construction” është e vetmja kompani që iu përgjigj thirrjes për partneritet publik-privat. Nëse e fiton kontratën, do të jetë e obliguar të investojë në garazhe shumëkatëshe, por do të mund ta paguajë parkimin me 50 denarë në vend të 30 denarë për orë, dhe në këmbim do t’i transferojë shtetit vetëm 1 për qind nga të ardhurat vjetore. (INA)