Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar fuqishëm pas sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit, duke mohuar çdo lloj komunikimi apo marrëveshjeje me Teheranin dhe duke kritikuar ashpër politikën e ish-presidentit Barack Obama.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi:
“Unë NUK i ofroj ASGJË Iranit, ndryshe nga Obama i cili u pagoi atyre miliarda dollarë si pjesë e lëvizjes së pamend drejt një Plani të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit për armët bërthamore (i cili tani do të kishte skaduar!). Unë as nuk kam folur me ta që kur NE I SHKATËRRUAM PLOTËSISHT objektet e tyre bërthamore.”
Deklarata e tij erdhi pasi mediat raportuan se administrata e tij po konsideronte ndihmën për Iranin për të aksesuar deri në 30 miliardë dollarë fonde për zhvillim të energjisë bërthamore me qëllime paqësore, një pretendim që Trump e mohoi kategorikisht të premten.
Në anën tjetër, Irani i është drejtuar Kombeve të Bashkuara me një letër zyrtare, ku kërkon njohjen e SHBA-së dhe Izraelit si agresorë në luftën 12-ditore që përfundoi më 24 qershor.
“Me këtë letër i kërkojmë zyrtarisht Këshillit të Sigurimit të njohë regjimin izraelit dhe SHBA-në si nismëtarë të veprimit agresiv dhe të njohë përgjegjësinë e tyre të mëvonshme, duke përfshirë pagesën e kompensimit dhe dëmshpërblimeve,” shkruan kreu i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi, në letrën drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, me një retorikë gjithnjë e më konfrontuese mes Washingtonit dhe Teheranit – dhe me një Trump që duket vendosur të mos bëjë asnjë kompromis.
Trending










