Trendy

Konflikt interesi, profesionistë dhe mbështetje partiake: Sfida për drejtorin e AKE-së mbaron nesër

Para 1 muaj

Katër emra janë në garë për postin e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), një prej institucioneve më të rëndësishme rregullatore në vend, me buxhet të konsiderueshëm dhe paga të larta. Nesër pritet të zgjidhet njëri prej tyre, ndërsa procesi tashmë është shndërruar në një betejë të hapur politike brenda koalicionit VLEN dhe strukturave të tij, shkruan gazeta KOHA.

Në garë janë: Nusret Haliti, i mbështetur nga ministri Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa; Armend Destani, që konsiderohet kandidat i zëvendëskryeministrit Arben Fetai; Rijad Abdullai, kandidat i pavarur; si dhe Veton Gavazi, i mbështetur nga Izet Mexhiti dhe Lidhja Demokratike.

Fillimisht, në opinion u përfol se pozita e drejtorit i takon krahut të Arben Fetait, i cili kishte caktuar si kandidat Armend Destanin nga Kumanova, aktualisht i punësuar në Agjencinë Tekniko-Operative (ATO). Megjithatë, konkursi që duhej të mbyllej disa ditë më parë u shty, pasi Destanit i mungonte një dokument i rëndësishëm për të përmbushur kriteret formale, dokument që tashmë është siguruar. Shtyrja e afatit hapi rrugë për përfshirjen edhe të tre kandidatëve të tjerë në garë.

Një tjetër emër në këtë proces është Nusret Haliti, i mbështetur nga ministri Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa. Megjithatë, brenda strukturave të ASH-së në VLEN, Haliti shihet si kandidat i afërt me Lëvizjen BESA, për shkak të lidhjes së tij të kahershme me Bilall Kasamin, që nga bankat e shkollës së mesme.

Nga ana tjetër, përkrahësit e Aliut dhe Musës vënë në pikëpyetje kandidaturën e Destanit, duke theksuar se ai mund të përballet me konflikt interesi për shkak të pozitës aktuale në ATO dhe ndërlidhjes institucionale me AKE-në.

Në mesin e kandidatëve, si alternativë jopartiake konsiderohet Rijad Abdullai, profesor i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Evropës Juglindore. Ai aktualisht mban pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim të Aplikacioneve në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut dhe, sipas burimeve, nuk ka mbështetje të drejtpërdrejtë politike, por vetëm referenca profesionale.

Kandidati i katërt është Veton Gavazi nga Shkupi, aktualisht i punësuar në AKE dhe i mbështetur nga Izet Mexhiti dhe Lidhja Demokratike. Megjithatë, burime brenda institucionit thonë se Gavazit i mungojnë disa muaj përvojë pune për të përmbushur plotësisht kriteret e kërkuara me konkurs.

Në garë ka edhe tre-katër kandidatë tjerë, por që kanë pak gjasa për t’ë marrë mbështetjen e Këshillit Drejtues të AKE-së.

Sidoqoftë, zgjedhja e drejtorit të ri të AKE-së shihet si një test i rëndësishëm për pavarësinë e këtij institucioni rregullator, por edhe për raportet e brendshme brenda ASH-së së mbetur në VLEN dhe vetë koalicionit VLEN. (koha.mk)

Trending