Trendy

Shkupi përzien “Botën Serbe” me albanofobinë

Para 3 orë

Simbioza mes albanofobisë dhe shërbimit ndaj interesave të huaja gjeopolitike shihet më qartë në standardin e dyfishtë të qeverisë së Hristijan Mickoskit. Kërkesat e studentëve shqiptarë dhe mbështetja diplomatike për ta etiketohen si “ndërhyrje e rrezikshme e jashtme”, për të cilën bllokohen kufij dhe thirren ambasadorë, ndërsa në të njëjtën kohë, Shkupi mbyll sytë përballë operacionalizimit të drejtpërdrejtë të “Botës Serbe” në territorin maqedonas

Sofje, 21 maj – Ditët e fundit, Maqedonia e Veriut është arenë e një krize politike, etnike dhe diplomatike. Kërkesa e studentëve shqiptarë të juridikut për ta dhënë provimin shtetëror të Jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare u shndërrua në katalizator të ngjarjeve që zbulojnë çarje të thella në shoqëri. Reagimet e aparatit shtetëror në Shkup – nga ndalimi i të rinjve pranë kufirit serb deri te demarshi diplomatik, vizatojnë një pamje shqetësuese të rritjes së albanofobisë, të përzier me reflekse gjeopolitike të së kaluarës.

Në thelb të pakënaqësisë aktuale qëndron një debat shumëvjeçar për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet zyrtare shtetërore. Studentët e Juridikut nga komuniteti shqiptar janë të detyruar me Ligj ta japin provimin shtetëror në gjuhën maqedonase, ndonëse studimet i kanë zhvilluar në gjuhën shqipe. Protestuesit e cilësojnë këtë si diskriminim të drejtpërdrejtë, shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit për Gjuhët, që krijon barriera artificiale për zhvillimin e karrierës së tyre.

Pas protestave të para më 6 prill, tensionet u përshkallëzuan më 18 dhe 19 maj. Marshimet në Shkup, të organizuara nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë me një zë”, përfunduan para Ministrisë së Drejtësisë (e drejtuar nga Igor Filkov i lëvizjes ZNAM). Pati përplasje fizike, të lënduar dhe të arrestuar. Edhe skena politike e shfrytëzoi krizën. Partia shqiptare në pushtet VLEN akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se qëndron pas nxitjes së studentëve për përfitime politike. Në të njëjtën kohë, BDI akuzoi ministrat shqiptarë në kabinetin e Hristijan Mickoskit për paaftësi në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të tyre.

Incidenti më shqetësues, që shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare, ndodhi në kufi. Rreth 40 studentë shqiptarë nga Tirana, që po udhëtonin drejt Shkupit për të mbështetur protestat, u bllokuan nga autoritetet maqedonase. Studentët u ndaluan fillimisht në pikën kufitare “Bllatë”. Më pas ata u transferuan dhe u mbajtën për plot 8 orë në një autobus në një fshat pranë Kumanovës – në afërsi të menjëhershme të kufirit me Serbinë. Sipas dëshmive të të prekurve, ata u lanë pa ushqim dhe pa shpjegime të qarta, ndërsa iu nënshtruan “kontrolleve”. Vetëm pas ndërhyrjes së Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, të rinjtë u lokalizuan dhe u lejua të vazhdonin rrugën.

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, reagoi ashpër, duke i quajtur veprimet e Shkupit “rrëmbim shtetëror”. Ai dënoi trajtimin e të rinjve 18-20-vjeçarë si kriminelë. Bardhi nuk kurseu kritika as ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama për heshtjen e plotë të Tiranës. Shtyrja e qytetarëve shqiptarë drejt kufirit serb si formë “ndëshkimi” dhe frikësimi shihet nga shumëkush si një gjest në përputhje me praktikat gjeopolitike serbe në rajon.

Përshkallëzimi nuk i kurseu as marrëdhëniet diplomatike. Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, u bë objekt i presionit institucional dhe i sulmeve të shëmtuara në internet. Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup thirri përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë për t’u dorëzuar një demarsh verbal për shkak të deklaratave të Meidanit në mbështetje të protestave studentore. Shkupi i cilësoi veprimet e tij si “ndërhyrje të mundshme në punët e brendshme”. Faqe nacionaliste maqedonase në rrjetet sociale shpërthyen me ofendime vulgare dhe thirrje që ambasadori të largohej nga vendi. U shfaqën gjithashtu informacione jozyrtare se Meidani mund të tërhiqet para kohe nën presionin e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, të pakënaqur me qëndrimin e tij aktiv në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Refuzimi institucional i gjuhës shqipe po çon në radikalizim të pashmangshëm të retorikës së intelektualëve shqiptarë. Dhe, gjarjet e ditëve të fundit tregojnë qartë se përpjekjet për të kufizuar të drejtat gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk çojnë drejt integrimit, por drejt konflikteve të ashpra.

Kombinimi i arbitraritetit policor në kufij, drejtimit të qytetarëve të huaj drejt kufirit serb, skandaleve diplomatike dhe radikalizimit të diskursit publik krijon një precedent të rrezikshëm. Shkupi po merr përsipër rrezikun e zgjimit të fantazmave të vjetra të ndarjeve etnike, duke përzier refleksin e një modeli të kaluar autoritar dhe proserb me një albanofobi të hapur institucionale.

Simbioza mes albanofobisë dhe shërbimit ndaj interesave të huaja gjeopolitike shihet më qartë në standardin e dyfishtë të qeverisë së Hristijan Mickoskit. Kërkesat e studentëve shqiptarë dhe mbështetja diplomatike për ta etiketohen si “ndërhyrje e rrezikshme e jashtme”, për të cilën bllokohen kufij dhe thirren ambasadorë, ndërsa në të njëjtën kohë, Shkupi mbyll sytë përballë operacionalizimit të drejtpërdrejtë të “Botës Serbe” në territorin maqedonas.

VMRO-DPMNE dhe struktura të afërta me zëvendëskryeministrin proserb dhe prorusi Ivan Stoilkoviq organizojnë qytetarë maqedonas (me pikë grumbullimi para Konsullatës së Serbisë në Kumanovë më 23 maj) për të zhvilluar një miting në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e cilësoi hapur këtë si tradhti të interesave kombëtare.

Në vend të një reagimi të qartë shtetëror kundër kësaj rrjete të ndikimit të huaj, kryeministri Mickoski zgjodhi rrugën e shmangies politike. I pyetur për skandalin, ai u fsheh pas formulimeve boshe se qeveria “nuk ka ndërmend të ndërhyjë në politikat e pavarura të shteteve të tjera”, duke shfrytëzuar njëkohësisht rastin për të sulmuar sërish opozitën shqiptare (BDI), të cilën e akuzoi për problemin e pazgjidhur prej 20 vitesh të studentëve.

Roli destruktiv i “Botës Serbe” është evidentuar edhe në raportin e fundit vjetor të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

(Marrë nga BGNES.bg)

Trending