Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, ka deklaruar se grupi parlamentar do ta kundërshtojë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat me të gjitha mekanizmat e paraparë nga Rregullorja e Kuvendit, ndërsa paralelisht do të propozojë edhe amendamente për përmirësimin e tij. Në një intervistë për lajmet qendrore në Alsat, Ajdari tha se Fronti Evropian do të angazhohet për bllokimin e ligjit, duke vlerësuar se ai nuk ka bazë të mjaftueshme juridike.
Ajdari sqaroi se amendamentet do të shërbejnë për të argumentuar para opinionit publik se çfarë ndryshimesh i nevojiten ligjit për të qenë funksional dhe në përputhje me qëllimin që proklamon Qeveria.
“Do ta bllokojmë ligjin me të gjitha mekanizmat të cilat na e mundëson rregullorja e punës së Kuvendit, do ta bllokojmë megjithatë do të intervenojmë me amendamente. Ato do ti kemi për ta argumentuar përpara opinionit se çfarë realisht i duhet këtij ligji për të qenë i mirëfilltë ashtu siç e proklamon dhe ashtu siç e shet kjo Qeveri. Ligji nuk ka bazë juridike dhe kjo është shumë e qartë. Do të intervenojmë”.
“Ka një dispozitë, është dispozita 6 e këtij ligji e cila thot që përkatësia etnike, deklarimi i përkatësisë etnike do të bëhet në mënyrë vullnetare megjithatë përkatësia etnike do të mund të verifikohet në bazë të emrit të individit i cili gjindet në letërnjoftim ose në një dokument tjetër zyrtar. Megjithatë, është e pamundur dhe e kemi thënë hapur në opinion që përkatësia etnike mund të verifikohet përmes emrit, pothuajse është e palogjikshme”, tha deputetja e Frontit Evropian, Rina Aajdari.










