Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot u bëri thirrje të gjitha kompanive që kanë realizuar investime dhe i përmbushin kushtet e parashikuara me Ligjin për Mbështetje Financiare të Investimeve që të shfrytëzojnë mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të parashtrojnë me kohë kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.
Ministri përkujtoi se afati për dorëzimin e kërkesave është vazhduar deri më 15 qershor dhe inkurajoi kompanitë ta përdorin këtë mundësi për mbështetje plotësuese të planeve të tyre zhvillimore.
“Ligji për Mbështetje Financiare të Investimeve është një nga veglat më të rëndësishme përmes të cilës shteti mbështet kompanitë që investojnë, hapin vende të reja pune dhe rrisin konkurrueshmërinë e tyre. U bëj thirrje të gjitha kompanive që kanë realizuar investime dhe i përmbushin kushtet të aplikojnë më së voni deri më 15 qershor dhe të shfrytëzojnë mbështetjen që e kanë në dispozicion të tyre. Veçanërisht më gëzon fakti që kompanitë e suksesshme nga Komuna e Çairit, si ONE Cable, Pikasa, Koral Group dhe MSA Company, edhe gjatë viteve të mëparshme i kanë shfrytëzuar me sukses masat e Ligjit dhe përmes investimeve të reja kanë kontribuar në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe kombëtare”, deklaroi ministri Durmishi.










