Administrata publike nuk ndryshohet me paralajmërime, por me zgjidhje konkrete, ndryshime sistemike dhe punë në terren. Pas dy vjetësh punë, ministri për administratën publike, Goran Minçev, i prezantoi rezultatet e procesit reformues të drejtuar drejt krijimit të një administrate profesionale, efikase dhe moderne, e cila do të jetë më afër qytetarëve dhe më e përgatitur për t’iu përgjigjur nevojave të tyre.
„Nuk kemi premtuar reforma, por kemi punuar për zbatimin e tyre. Nuk jemi udhëhequr nga zgjidhje afatshkurtra, por nga nevoja për të vendosur themele të qëndrueshme të një sistemi që për vite me radhë përballej me vonesa dhe procese të papërfunduara“, theksoi ministri Minçev, duke vënë në dukje se një nga rezultatet më të rëndësishme është miratimi i tre ligjeve sistemike në fushën e administratës publike: Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligji për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë.
Veçanërisht i rëndësishëm është segmenti i reformave që lidhet me përmirësimin e statusit të nëpunësve administrativë. Në dialog partneriteti me sindikatat është arritur marrëveshje historike përmes kontratave kolektive, me të cilën sigurohet rritje e vazhdueshme e pagave të nëpunësve administrativë për 40 për qind deri në vitin 2028. „Reforma e administratës publike nuk mund të jetë e suksesshme pa kujdesin ndaj njerëzve që e mbajnë punën e institucioneve çdo ditë“, theksoi Minçev.










