Vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar me 4.56 milionë dollarë koncertin e reperit amerikan Kanye West po bën xhiron e mediave ndërkombëtare.
Pas Reuters, edhe NBC News i ka kushtuar vëmendje këtij zhvillimi, duke raportuar se kryeministri Edi Rama ka mbrojtur publikisht përdorimin e fondeve shtetërore për organizimin e koncertit, ndërsa vendi vijon të përballet me protesta të përditshme dhe kërkesa për dorëheqjen e tij.
ARTIKULLI I PLOTE I NBC
Kryeministri i Shqipërisë mbrojti të mërkurën vendimin për të shpenzuar 4 milionë euro (4.56 milionë dollarë) për koncertin e reperit amerikan Kanye West, ndërsa u përpoq të zbusë zemërimin publik për këtë event, i cili ka shtuar tensionet në protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e tij.
Kanye West, i cili njihet gjithashtu si Ye, është ndaluar të performojë në disa vende europiane këtë verë, pas komenteve që kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përmbajtje me imazhe naziste. Ai që atëherë ka kërkuar falje për disa prej atyre komenteve.
Koncerti, i planifikuar për më 11 korrik, pak jashtë Tiranës, do të zhvillohet në një stadium të përkohshëm, të ndërtuar posaçërisht për këtë event.
“Ne akorduam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e gati 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët tashmë kishin blerë bileta për të parë Kanye West, ndërsa shumë të tjerë ishin të shqetësuar se koncerti mund të anulohej”, tha kryeministri Edi Rama në Facebook.
Rama tha se pritej që eventi të gjeneronte të paktën 100 milionë euro të ardhura për vendin, pas një rritjeje të rezervimeve të akomodimit rreth periudhës së koncertit.
Njoftimi i Ramës tërhoqi një valë komentesh negative në faqen e tij në Facebook.
“Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që admiron Hitlerin”, tha një komentues. “Turp, jo me paratë e mia!”, tha një tjetër.
Protesta të përditshme janë zhvilluar në Tiranë për më shumë se një muaj. Ato u nxitën nga planet për një resort luksoz të dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner.
Protestuesit më pas denoncuan edhe projekte të tjera zhvillimi në bregdet pranë zonave të mbrojtura dhe kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Ramës, duke e akuzuar qeverinë e tij për korrupsion, pretendim që Rama e mohon.










