Garazha shumëkatëshe në “Çairçane” nuk është një “propozim” i ri, por një projekt tashmë i planifikuar dhe në procedurë për realizim nga Komuna e Çairit, thekson këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha.
Berisha akuzon se disa po tentojnë ta paraqesin projektin si ide të re, ndërsa dokumentet, sipas tij, dëshmojnë se projekti tashmë është konkretizuar.
“Faktet janë shumë të thjeshta. Me ndryshimin e Planit detal urbanistik, në PK 2054/1, KK Qendër 1, është paraparë ndërtimi i një garazhe shumëkatëshe P+4. Parcela është përfshirë edhe në Programin për menaxhimin me tokën ndërtimore për vitin 2026, duke hapur rrugën për procedurat e realizimit”, thekson Berisha.
Sipas tij, projekti nuk ka mbetur vetëm në letër; Projekti arkitektonik është përpiluar; është paraparë një nivel nëntokësor, përdhesë dhe katër kate; sipërfaqja do të jetë rreth 6.000 metra katrorë; parashihen rreth 120 vende parkimi; ndërsa tashmë ka filluar përgatitja e Projektit kryesor, pas së cilës do të përcaktohet edhe kostoja e realizimit.
“Pra, derisa dikush del sot me ‘propozime’, Komuna e Çairit tashmë ka plan, projekt dhe procedura konkrete për realizim. Qytetarëve u duhen projekte të realizueshme, jo gara se kush do ta përvetësojë i pari një ide që tashmë është planifikuar”, shkruan Berisha.
Për fund ai shton se punimi vizual i garazhës së planifikuar në “Çairçane” dëshmon konkretisht se bëhet fjalë për një projekt të përgatitur dhe jo për një ide të hedhur rishtazi.











