Trendy

Trupi i Ratko Mladić mund të mos dërgohet në Serbi, mund të varroset në Hagë

Para 57 minuta

Trupi i Ratko Mladićit mund të mos dërgohet menjëherë në Serbi dhe ekziston mundësia që ai të varroset në Hagë. Kështu ka deklaruar ish-ministrja kroate e Drejtësisë, Vesna Škare Ožbolt, duke komentuar zhvillimet pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në një intervistë për N1 Hrvatska, të përcjellë nga gazeta serbe Danas, Škare Ožbolt tha se presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar në Hagë ka hapur një hetim për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së Mladićit.

Sipas saj, për sa kohë që ky hetim nuk ka përfunduar, nuk do të merret një vendim përfundimtar për atë që do të ndodhë me trupin.

Mund të ndodhë që as të mos e dërgojnë në Serbi, por të mbetet dhe të varroset atje”, deklaroi ish-ministrja kroate.

Debati është intensifikuar pas njoftimeve nga Beogradi se Mladić mund të varroset me nderimet më të larta shtetërore. Škare Ožbolt tha se deklarata të tilla kanë shkaktuar reagime serioze në vendet e ish-Jugosllavisë ku Mladić kreu krime.

Ajo kritikoi gjithashtu reagimin e Bashkimit Evropian, të cilin e cilësoi si të dobët, ndërsa tha se Brukseli mund të jetë duke pritur për të parë se si do të veprojë konkretisht Serbia.

Ish-ministrja ngriti edhe çështjen e gradës ushtarake të Mladićit dhe mënyrës se si një funeral shtetëror mund të justifikohej në këto rrethana. Ajo theksoi se Mladić ishte gjeneral i Ushtrisë së Republikës Srpska dhe se njoftimet për nderime shtetërore mbeten një çështje veçanërisht e debatueshme.

Sipas saj, deklarata për funeralin është bërë nga ministri serb i Drejtësisë në komunikimin me mediat e Republikës Srpska, ndërsa qeveria serbe nuk e ka mohuar atë.

Reagimet më të forta, sipas Škare Ožbolt, kanë ardhur nga Bosnja dhe Hercegovina. Edhe Kroacia ka reaguar pas mesazhit të ngushëllimit të presidentit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandić.

Ish-ministrja kroate tha se vëmendja tani është përqendruar te mënyra se si do të sillet Serbia.

Ajo kujtoi se Mladić mori dënimin maksimal që mund të jepte Tribunali i Hagës, burgimin e përjetshëm, dhe argumentoi se glorifikimi i tij pas vdekjes do të krijonte një problem serioz politik për Serbinë, veçanërisht në raport me procesin e integrimit evropian.

Škare Ožbolt theksoi gjithashtu se gjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë bazoheshin në përgjegjësi individuale. Sipas saj, situata merr një dimension tjetër kur një shtet vendos të nderojë zyrtarisht një person të dënuar për krime lufte dhe gjenocid.

Për momentin, megjithatë, çështja e funeralit mbetet e hapur. Vendimi për dërgimin ose jo të trupit të Mladićit në Serbi pritet të varet edhe nga përfundimi i hetimit të nisur në Hagë për rrethanat e vdekjes së tij.

Trending