Ka qenë një rrugë, e cila prej xhadesë ngjitej dredhazi malit dhe të shpiente në fshatin Përcë të Tetovës, shtëpitë e të cilit zbardhëllenin në një çeltinë shpati. Një udhë e ngushtë nëpër të cilën kanë ecur përçasit dhe rrugëtarët. Këtë rrugë tashmë nuk e rrahin përçasit që disa vjet, ç’prej se janë dyndur e degdisur disa në Tearcë, disa në Tetovë. Fjala Përcë tashmë është vetëm një toponim që rron ndër kujtimet e banorëve të vet të dikurshëm…
Në Përcë ende s’janë fshirë gjurmët e fshatit. Kanë mbetur aty muranat e shtëpive të rrëzuara, lisat që kanë mbrojtur fshatin nga erërat e nga rrekëzat, krojet ku të rinjtë kanë lidhur dashurinë e parë, varret e të parëve dhe gjithë këto rrojnë në vetminë e tyre të dhembshme…
– Si u mplak Përcë – e pyeta plakun shtatëdhjetepesë vjeçar, Taip Ilazin, me të cilin u ndodhëm në një veturë në rrugë për Tetovë.
Tha plaku:
– Si kumbulla. E dini si thahet kumbulla? Nga majat e degëve kah trungu. Edhe Përcën më parë e lindireshin (braktisën) degët e njoma – të rinjtë, të cilët, kush mori rrugën e kurbetit në botën e jashtme, kush rrugën e shkollës dhe s’deshën të kthehen më aty. Mandej, për hir të të rinjve, për ardhmërinë e tyre, e qitëm këmbën përtej pragut edhe ne, prindërit e tyre.
Ta dish, bir – o, vazhdoi xha Taipi, se Përca tri herë është mplakur. Tri herë janë ngjallur dhe janë shkulur vatrat në këtë fshat dhe kjo është pleqëria e fundit e saj që e goditi për vdekje. Se këtë pleqëri e sollën kohët e reja, që fshehtazi kishin hudhur në fshat farën e trazimit për një dyndje të re e të mbramë.
Përca ka qenë fshat blegtorësh, madje blegtorësh të dëgjuar në mbarë malësinë e Sharrit. I merrnin rrëgëtarë të gjithë. Por, cilin prej të rinjve tash mund ta bësh bari? Dhe, kanë të drejtë.
Derisa fliste plaku me një gjuhë të kulluar shqipe si uji i krojeve të Përcës, nxora nga xhepi kimikun të shënoj fjalë.
– Mos jeni gazetarë? – tha xha Taipi.
– Po, i thamë.
– Ç’shohë, atëherë çka shkruan? Se, merakli i madh jam për të lexuar. Që në rini kam pasur zell për të mësuar gjuhët dhe shkronjat. Shkronjat shqipe i kam mësuar “me të vjedhime”, në kohë të ish-Jugosllavisë. M’i ka mësuar një ish shkollar që kishte kryer Medresen e Madhe të Shkupit, me të cilin kam qenë në një kamp përqëndrimi në Gjermani…
Ndërhyri një koleg imi gazetar, i cili sërish u kap për fillin e bisedës së dyndjes së përçasve:
– A keni nipër e mbesa, axhë?
– Po, – tha ai – edhe të djemve edhe të bijave.
– A shkojnë në shkollë?
Tha plaku:
– Të gjithë. Njëra mbesë është gjimnaziste, madje.
– Sikur të ishit në Përcë, a do ta kishit shkolluar të mbesën?
– Do të mbetet e verbër për dije, – tha xha Taipi. – Përca ndodhej larg nga Tetova, shumë larg, kurse femra s’është për udhë të largë të rrahë çdo ditë. Mandej në fshat, ndryshe e shikonim shkollimin, sikur s’e deshnim si tash…
Në të dalë nga vetura, e cila u ndal në sheshin e qytetit, vazhdoi:
– Ju lodha pak me muhabet, të më falni, djema! Jam njeri i muhabetit. Eh, pa dalë pak. Në ç’gazetë do të dalë ky muhabet?
– Në “Flakën e vëllazërimit”, që del në Shkup, xha Taip.
– Të ma sjellësh një copë ta lexoj me nga, – tha.
Përca njëmend është mplakur dhe e lënë në vetmi, por banorët e saj të dikurshëm, që u rritën dhe u ngjeshën nga erërat, bujaria dhe ashpërsia e saj, që nderonin kanunet e jetës së saj, tash janë derdhë në një shesh jete të re, kah e cila i tërheqën gjurmët e të rinjve. Xha Taipi gjithë rrugës na foli për burimet e gëzuara të jetës në vatër të re trikatshe të ngritur para disa vjetësh në një lagje të Tetovës.
Autor: Nijazi MUHAMEDI
FLAKA E VËLLAZËRIMIT – 11 JANAR 1981











