Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do t’u kërkojë shteteve evropiane që ta paguajnë SHBA-në për ndihmën ushtarake dhe municionet që i janë dërguar më parë Ukrainës.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump sinjalizoi gjithashtu një ndërprerje të përkohshme të shitjes së municioneve për vendet aleate, duke theksuar se SHBA-ja po rrit prodhimin dhe po plotëson rezervat e saj.
“Ne do t’i mbajmë për vete, për SHBA-në, dhe nuk do t’ua shesim të tjerëve, por shitjet për aleatët do të rifillojnë së shpejti”, shkroi Trump.
Ai tha se Ukrainës dhe NATO-s u janë dhënë falas qindra miliarda dollarë, për të cilat, sipas tij, Evropa do të kishte paguar po t’i kërkohej. Trump shtoi se Uashingtoni do t’i kërkojë këto para, ndonëse me vonesë, ndërsa për këtë situatë fajësoi administratën e ish-presidentit Joe Biden.
Vitin e kaluar, SHBA-ja dhe NATO-ja nisën iniciativën “Lista e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën”, përmes së cilës vendet evropiane financojnë blerjen e armëve amerikane për Kievin.
Deklaratat e Trumpit vijnë pas raportimeve se ushtria amerikane ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të rezervave të raketave precize me rreze të gjatë gjatë luftës me Iranin, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë e saj në rast të konflikteve të ardhshme.
Ndërkohë, çmimet e naftës arritën të enjten nivelin më të lartë në gjashtë javët e fundit, pas sulmeve të reja amerikane ndaj Iranit dhe kërcënimeve të përsëritura të Izraelit kundër Teheranit.











