Komisioni Europian njoftoi se çdo përpjekje për të fituar akses të paautorizuar në të dhënat e qytetarëve ose kundërshtarëve politikë duhet të jetë e papranueshme.
Bashkimi Evropian është në dijeni të akuzave të reja për përdorimin e programeve spiune për mbikëqyrje të paligjshme të aktivistëve studentorë dhe politikanëve të opozitës në Serbi, dhe Komisioni Evropian thotë se një praktikë e tillë do të ishte e papranueshme nëse konfirmohet.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian i tha REL se çdo përpjekje për të fituar akses të paautorizuar në të dhënat e qytetarëve ose kundërshtarëve politikë duhet të konsiderohet e papranueshme, nëse vërtetohet se ka ndodhur.
Reagimi i Brukselit erdhi pasi Fondacioni SHARE njoftoi më 2 shtator se, që nga fillimi i vitit 2026, të paktën 14 persona në Serbi ishin shënjestruar nga programe të përparuara spiune.
Organizata deklaron se kjo është vala më e madhe e mbikëqyrjes së tillë e dokumentuar deri më tani në vend.
Midis individëve të synuar, sipas organizatës SHARE, ishin anëtarë të lëvizjes studentore, aktivistë, një anëtar i parlamentit dhe një këshilltar vendor nga partitë opozitare. Periudha gjatë së cilës u regjistruan rastet përkoi me zgjedhjet vendore të mbajtura më 29 mars.
Studentja Ela Zekoviç tha më 2 shtator, në konferencën e parë për shtyp të studentëve që mbanin bllokadën, se studentët po shënjestroheshin nga softuerë të specializuar spiunazhi dhe deklaroi se ishte teknologji që u shitet ekskluzivisht shteteve.











