Bashkim Aliu
Më 16 shtator 2026, në një ditë që u prit me ethe, jo vetëm nga shqiptarët e Kosovës, por edhe nga shqiptarët anekënd botës, Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Në të njëjtën kohë, trupi gjykues u shpreh se nuk ishin përmbushur kushtet e provës për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe theksoi se çështja gjyqësore lidhej me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve për vepra konkrete, dhe jo me luftën e UÇK-së si tërësi apo me legjitimitetin e saj.
Kjo gjykatë ka një mandat të përcaktuar me Kushtetutën dhe ligjin e Kosovës. Dhomat e Specializuara u krijuan përmes nenit 162 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 05/L-053, pas një procesi që lidhej me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me zhvillimet hetimore të pasuara nga raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Ky proces lidhej edhe me akuzat për trafikim organesh të ngritura fillimisht në vitin 2008 dhe më pas të bëra publike në mënyrë më të gjerë përmes raportit të senatorit zviceran Dick Marty lidhur me të ashtuquajturën «Shtëpia e verdhë». Institucioni u krijua në një rrethanë të jashtëzakonshme ndërkombëtare, pas raportit të Këshillit të Evropës, hetimeve të Task Forcës Speciale të BE-së dhe marrëveshjeve të lidhura ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kuptim, origjina e tij institucionale lidhet qartësisht me një proces politik, diplomatik dhe juridik.
Baza mbi të cilën u themelua gjykata, nuk arriti të qëndrojë si bazë për të vërtetuar fajësinë e pretenduar të katër ish-krerëve të UÇK-së për krime kundër njerëzimit. Gjykata e vendosi përgjegjësinë në planin e veprave konkrete dhe të përgjegjësisë individuale të të akuzuarve. Pikërisht për këtë arsye, edhe pse procesi mund të ketë pasur një dimension politik në origjinën dhe pasojat e tij, aktgjykimi duhet të analizohet dhe të vlerësohet në rrafshin juridik.
Përtej dimensionit juridik, aktgjykimi ka prodhuar menjëherë pasoja në mënyrën se si interpretohet lufta e Kosovës, përgjegjësia individuale e disa prej drejtuesve të saj, raporti ndërmjet UÇK-së dhe krimeve të kryera nga individë, si dhe mënyra se si kjo histori lexohet në Kosovë, Serbi dhe më gjerë.
Përballë mospranimit të akuzës për krime kundër njerëzimit, Gjykata Speciale, në aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 ndaj krerëve të UÇK-së, e përjashtoi nga objekti i përgjegjësisë penale kolektive luftën e UÇK-së si të tillë dhe i shpalli të pafajshëm të katër të akuzuarit për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër një popullsie civile. Në vend të kësaj, trupi gjykues konstatoi përgjegjësi penale individuale për krime konkrete, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.
Në aktgjykim nuk gjendet ndonjë përfundim që përgjegjësinë individuale për këto krime t’ia atribuojë UÇK-së si organizatë, ta kriminalizojë përpjekjen e Kosovës për pavarësi apo të vendosë në pikëpyetje legjitimitetin e UÇK-së ose të luftës për pavarësi. Gjykata e ka kufizuar çështjen te përgjegjësia individuale penale e katër të akuzuarve për veprat për të cilat u gjetën fajtorë.
Duke u nisur nga pretendimet dhe rrethanat që lidhen me krijimin e Dhomave të Specializuara, ky aktgjykim është një përpjekje për ta zhvendosur fokusin nga pretendimet fillestare rreth trafikimit të organeve, «Shtëpisë së verdhë», krimeve kundër njerëzimit dhe pretendimit për ekzistencën e një sulmi kriminal kundër një popullsie civile, drejt përgjegjësisë individuale për vepra konkrete. Pikërisht këtu shfaqet dimensioni politik i aktgjykimit dhe ndikimi i mundshëm i tij në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe në kontekstin më të gjerë gjeopolitik dhe gjeostrategjik të rajonit.
Sikur trupi gjykues të kishte synuar ta vendoste aktgjykimin në një kontekst të drejtë historik dhe strikt juridik, pas shpalljes së pafajësisë së krerëve të UÇK-së për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, do të duhej të ndalej aty për sa u përket atyre akuzave. Sa i përket përgjegjësisë individuale për veprat konkrete, rastet përkatëse do të duhej t’u liheshin mekanizmave gjyqësorë kompetentë brenda Kosovës.
Kjo nuk e zbeh përgjegjësinë individuale të personave të dënuar, nuk e mohon të drejtën e viktimave për drejtësi dhe nuk e vë vetvetiu në dyshim ligjshmërinë e gjykatës. Përkundrazi, e vendos debatin aty ku duhet të jetë: te dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe përgjegjësisë kolektive dhe, njëkohësisht, te kuptimi i faktit se një aktgjykim i tillë mund të ketë pasoja politike dhe të ndikojë në aspekte të tjera që lidhen me imazhin dhe pozicionin diplomatik të Kosovës.
Duke u nisur nga ajo se kryetari i Serbisë Vuçiq para disa ditësh u shpreh se ka indikacione se krerët e UÇK-së do të shpallen fajtorë dhe do t’u jepen dënime të rënda dhe e kishte vendosur paraprakisht aktgjykimin në një narrati











