Nga ekonomia te politika, Berlini po përpiqet të korrigjojë pasojat e viteve Merkel, ndërsa qeveria e Friedrich Merz kërkon të ndalë stanjacionin dhe rritjen e AfD-së.
Eliminimi nga Kupa e Botës në futboll është vetëm problemi i fundit në një seri krizash që po godasin Gjermaninë. Komentatori italian Aldo Cazzullo e lidhi poshtërimin sportiv me atë që në fusha të tjera po quhet “sëmundja gjermane”: kriza ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike e vendit që prej dekadash përcakton ekuilibrat e Europës.
Me Francën në vështirësi dhe Mbretërinë e Bashkuar jashtë BE-së, roli i Gjermanisë është më i rëndësishëm se kurrë. Demografia dhe ekonomia e vendosin atë si fuqinë kryesore të Bashkimit Europian.
Sipas autorit, një nga pengesat kryesore për zgjidhjen e krizës është iluzioni se Angela Merkel ka qenë një kancelare e suksesshme. Ai argumenton se trashëgimia e saj lidhet me katër gabime strategjike: afrimin me Rusinë, hapjen e pakontrolluar ndaj migracionit, politika mjedisore të dëmshme për industrinë dhe paaftësinë për të kuptuar natyrën e vërtetë të Kinës.
Këta faktorë, sipas analizës, shpjegojnë krizën aktuale të modelit gjerman, si në ekonomi, ashtu edhe në politikë. Vetëm duke u përballur me trashëgiminë reale të Merkelit, Gjermania dhe Bashkimi Europian mund të ndryshojnë drejtim.
Më 30 qershor, në Muzeun Bode në Berlin, Angela Merkel prezantoi portretin e saj zyrtar për Kancelarinë, të realizuar nga artisti 28-vjeçar Jérémie Queyras. Në pamje të parë, ishte një ceremoni protokollare. Por mënyra si u ndërtua dhe u komunikua ngjarja tregoi se ish-kancelarja vazhdon të menaxhojë me kujdes imazhin e saj publik.
Fraza e saj më e cituar, “është e çuditshme kur ngadalë bëhesh histori”, i dha ngjarjes tonin e një Merkel-i të pajtuar me të kaluarën. Megjithatë, trashëgimia e saj mbetet në qendër të debatit, sidomos për hapjen ndaj refugjatëve në vitin 2015, varësinë energjetike nga Rusia dhe politikat e ashpra ndaj Europës Jugore.
Ndërkohë, kancelari Friedrich Merz po përballet me një ekonomi në stanjacion dhe me një koalicion të brishtë. Javën e kaluar, ai prezantoi në Berlin një paketë me 34 masa, me synimin për të ringjallur ekonominë dhe për të rikthyer besimin te qeveria.
“E kuptoj nostalgjinë për të kaluarën, por nuk mund të fshihemi pas historisë. Duhet të rikthejmë dëshirën për të ardhmen”, tha Merz gjatë prezantimit të reformave.
Paketa prek katër fusha kryesore. Në politikën fiskale, ajo ul taksat për të ardhurat e ulëta dhe të mesme me rreth 10 miliardë euro në vit, ndërsa rrit barrën fiskale për ata që fitojnë mbi 250 mijë euro dhe shkurton disa lehtësi tatimore.
Në sistemin e mirëqenies, mosha e pensionit do të rritet gradualisht nga 67 në 70 vjeç dhe do të hiqen stimujt për pension të parakohshëm.
Në tregun e punës, kompanitë do ta kenë më të lehtë të largojnë punonjësit me paga të larta dhe të punësojnë më shumë punonjës me kontrata të përkohshme. Qeveria parashikon edhe lehtësi fiskale për ata që humbin vendin e punës, por rikthehen shpejt në treg. Po ashtu, ajo synon të kufizojë abuzimet me raportet mjekësore.
Sektorët më të goditur nga kriza, si industria automobilistike, çeliku, kimia dhe makineritë, si dhe kompanitë teknologjike, mund të përjashtohen nga një pjesë e rregullave të punës.
Ndryshimi më i fortë pritet në burokraci. Qeveria synon të heqë shumë detyrime administrative për bizneset dhe të lehtësojë rregullat e privatësisë për kompanitë e vogla. Për lejet e ndërtimit dhe licencat tregtare do të zbatohet parimi i miratimit të heshtur: nëse administrata nuk përgjigjet brenda katër muajsh, kërkesa do të konsiderohet e pranuar.
Në tregti, Berlini do të kërkojë përdorimin më të fortë të instrumenteve antidumping dhe kundër subvencioneve kineze në nivel europian.
Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas autorit, tregon se problemet e Gjermanisë janë më të thella se një cikël i zakonshëm ekonomik. Mes viteve 2023 dhe 2024, vendi kaloi në recesion, ndërsa rritja mbeti nën mesataren e eurozonës. Rreth 60% e këtij hendeku lidhet me rënien strukturore të potencialit të rritjes.
Kriza ka goditur investimet, eksportet, industrinë përpunuese dhe ndërtimin. Një problem i madh është rënia e produktivitetit. FMN e lidh këtë edhe me faktin se kompanitë mbajnë punonjësit, edhe kur prodhimi bie, nga frika se nuk do të gjejnë më vonë staf të kualifikuar.
Në planin politik, pozita e Merz është gjithnjë e më e vështirë. Koalicioni mes CDU-CSU dhe SPD nuk ka arritur të fitojë besimin e opinionit publik. Në sondazhe, AfD-ja e Alice Weidel qëndron shpesh përpara konservatorëve, ndërsa më shumë se dy të tretat e gjermanëve shprehen të pakënaqur me qeverinë.
Kjo e vendos Berlinin në një paradoks: një kancelar që premton ringjallje ekonomike, ndërsa shumica e tij rrezikon të shpërbëhet. AfD-ja nuk përshkruhet nga autori si forcë fashiste apo përmbysëse, por si parti me dy probleme të mëdha gjeopolitike për Europën: antiamerikanizmin dhe prirjen proruse.
Në Bruksel, Gjermania mbetet aktori kryesor. Në muajt e fundit, ajo ka ndikuar në dy çështje të mëdha: qëndrimin ndaj Kinës dhe politikat mjedisore.
Për vite me radhë, Berlini e frenoi Brukselin ndaj Pekinit, nga frika e hakmarrjes tregtare kineze. Por kriza në industrinë e makinave, kimisë, çelikut dhe makinerive e ka shtyrë qeverinë Merz drejt një proteksionizmi më selektiv. Gjermania kërkon tani rregulla më të ashpra kundër konkurrencës së pandershme dhe më shumë kontroll mbi investimet e huaja në sektorët strategjikë.
Megjithatë, qasja gjermane mbetet e dyfishtë. Berlini kërkon linjë të ashpër nga BE-ja, por ruan kanale të drejtpërdrejta me Pekinin, për shkak të varësisë së industrisë gjermane nga tregu dhe furnizimet kineze.
Fronti i dytë është politika mjedisore, sidomos ndalimi i motorëve me djegie të brendshme nga viti 2035. Pas presionit të industrisë automobilistike gjermane dhe një letre të Merz drejtuar Ursula von der Leyen, Brukseli e zbuti objektivin: ulja e emetimeve për makinat e reja nga viti 2035 nuk do të jetë më 100%, por 90%. Kjo hap rrugën për një pjesë automjetesh hibride dhe motorë me efikasitet të lartë edhe pas asaj date.
Në thelb, Gjermania po përpiqet të blejë kohë. Brenda vendit, me ulje taksash, reforma pune dhe shkurtim burokracie. Në Europë, me më shumë proteksionizëm dhe më pak kufizime mjedisore.
Sfida e Merz është e qartë: të ndalë rrjedhjen e votave drejt AfD-së dhe të vërë sërish në lëvizje ekonominë gjermane. Sipas autorit, kjo mund të jetë edhe mundësia e fundit politike e kancelarit. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”










