Menaxheri i Kristian Prengës, Keith Sullivan, ka reaguar ndaj teorive të përhapura pas humbjes së boksierit shqiptar ndaj Anthony Joshuas, duke mohuar çdo mundësi për ndikim të jashtëm apo marrëveshje të dyshimtë.
Prenga befasoi shumë tifozë në rundin e parë të duelit në Jeddah, ku e rrëzoi dy herë Joshuan, por më pas britaniku u rikthye fuqishëm dhe fitoi me nokaut teknik në rundin e dytë.
Pas ndryshimit të madh të paraqitjes së Prengës nga raundi i parë në të dytin, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin teori se diçka nuk kishte shkuar siç duhej.
Megjithatë, Sullivan i hodhi poshtë këto pretendime.
“Mund t’i sqarojmë shumë lehtë me një fjalë: e pamundur. Nuk kishte asnjë ndikim të jashtëm”, tha ai për talkSPORT.
Menaxheri mohoi edhe pretendimin se persona nga organizatorët apo kompanitë e përfshira në event kishin ndërhyrë në këndin e Prengës gjatë meçit.
“Turki Alalshikh nuk ishte fare në Jeddah. Edhe ideja se dikush nga Sela kishte ardhur në këndin tonë dhe kishte folur me ne, nuk është e vërtetë. Shikoni pamjet, nuk ka ndodhur”.
Megjithatë, Sullivan zbuloi një detaj të panjohur më parë: Kristian Prenga kishte kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore para përballjes me Joshuan.
“Kristiani ishte sëmurë rëndë para luftës. Nuk bëri sparing dhe nuk u stërvit për dy javë para se të shkonte në Jeddah. Kishte temperaturë 102 gradë celcius dhe qëndroi tetë ditë në shtrat”.
Sipas tij, Prenga kishte bërë kontrolle mjekësore dhe ishte menduar se bëhej fjalë për një grip apo lodhje të madhe, por koha e rikuperimit ndikoi në përgatitjet e tij.
“Në rundin e parë doli dhe e harxhoi gjithë energjinë. Kur nisi raundi i dytë, ai më tha se ndihej sikur ishte kthyer sërish në atë shtrat ku kishte qenë tetë ditë, pa energji dhe duke luftuar për frymë”.
Në fund, Sullivan theksoi se nuk po kërkon justifikime për humbjen.“Nuk po bëj justifikime. Mendoj se ishin pesë minuta e gjysmë nga momentet më emocionuese të boksit që kam parë prej shumë kohësh”










