Pak ditë para koncertit të shumëpritur të Rita Orës, i cili do të mbahet më 1 gusht në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër, rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut janë mbushur me komente të shumta, ku krahas entuziazmit të fansave nuk kanë munguar as reagimet negative transmeton INA.
Një pjesë e përdoruesve maqedonas kanë shprehur pakënaqësi për ardhjen e këngëtares me origjinë shqiptaro-kosovare, duke rikthyer në vëmendje qëndrimet e saj të mëparshme lidhur me Kosovën dhe identitetin shqiptar. Në komentet e publikuara në rrjetet sociale, disa e kanë kundërshtuar organizimin e koncertit, ndërsa të tjerë kanë bërë thirrje që muzika të mos përzihet me politikën.
Nga ana tjetër, një numër i madh qytetarësh kanë mirëpritur koncertin, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të verës në vend. Shumë prej tyre kanë theksuar se ardhja e një artisteje me famë botërore si Rita Ora është një promovim i rëndësishëm për Ohrin dhe turizmin.
Vetë Rita Ora, në një mesazh drejtuar publikut, është shprehur e emocionuar për koncertin në Ohër, duke thënë se ndihet e lumtur që do të performojë kaq pranë vendlindjes së familjes së saj dhe se në koncert do të jenë të pranishëm edhe familjarë e miq të saj.
Koncerti do të mbahet më 1 gusht në stadiumin “Biljanini Izvori”, ndërsa përveç Rita Orës në skenë pritet të ngjiten edhe Senidah dhe grupi maqedonas 2Bona. Organizatorët kanë njoftuar një produksion të nivelit ndërkombëtar dhe interes të lartë për biletat./INA/










