Policia italiane arrestoi një 35-vjeçar të dyshuar për dy vjedhje në Botricello, pranë Catanzaros, pasi gjatë arratisjes nga njëri prej objekteve i ra nga xhepi një letër me emrin e plotë dhe numrin e telefonit.
Sipas mediave italiane, i dyshuari, i njohur më parë nga policia, fillimisht hyri në një dyqan veshjesh duke u prezantuar si një klient që kërkonte një kostum dhëndri. Ndërsa pronari ishte i përqendruar në bisedë me të, ai vodhi çantën e një klienteje, në të cilën ndodheshin rreth 200 euro, dokumente personale dhe sende të tjera.
Pak më vonë, duke thyer derën hyrëse, ai hyri me forcë edhe në një kasap, nga ku, sipas hetimeve, mori rreth 30 euro nga arka.
Prova kyçe u gjet pranë dyqanit të veshjeve – një letër me emrin e plotë dhe numrin e telefonit të të dyshuarit, e cila i kishte rënë nga xhepi gjatë arratisjes në panik. Kamerat e sigurisë konfirmuan momentin kur ai e humbi letrën.
Pranë kasapit, policia gjeti edhe një telefon celular, si dhe një sasi të vogël hashashi. Pas analizës së telefonit dhe krahasimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, u konfirmua se i njëjti person qëndronte pas të dyja vjedhjeve.
Ndaj të dyshuarit është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Catanzaros, nën dyshimin për kryerjen e vjedhjeve.










