Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar lidhur me kërkesat e BDI-së për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se kjo parti po kërkon zgjedhje pasi opozita i është bërë, siç shprehet ai, “e padurueshme”, përcjell tetova1
Azizi ka theksuar se prioritet i pushtetit aktual janë projektet infrastrukturore, duke përmendur Korridorin 8, rrugën Shkup–Bllacë dhe rrugën Tetovë–Prizren.
Sipas tij, këto projekte nuk do të ndalen për shkak të kërkesave të BDI-së, ndërsa ka paralajmëruar se shqiptarët, në rast zgjedhjesh, do të japin përgjigjen e tyre përmes votës.
Postimi i plotë i Adnan Azizit:
“BDI-ja po kërkon zgjedhje të parakohshme sepse opozita i është bërë e padurueshme. Për vite me radhë e kanë parë pushtetin si qëllim, ndërsa sot e kanë kuptuar se pa pushtet nuk kanë ardhmëri si grupacion politik.
Por prioriteti i ynë sot janë projektet që ndryshojnë jetën e qytetarëve: Korridori 8, rruga Shkup–Bllacë dhe rruga Tetovë–Prizren.
Ne nuk do t’i ndalim këto projekte për t’i bërë qejfin BDI-së.
Kurdo që të ketë zgjedhje, shqiptarët do të japin përgjigjen e tyre. Dhe ajo përgjigje do të jetë e qartë: shqiptarët nuk kthehen më te politika e vjetër, te keqpërdorimi i pushtetit dhe te një kastë që për vite me radhë e përdori përfaqësimin e shqiptarëve për pasurimin e individëve.
BDI-ja duhet ta pranojë realitetin: koha e tyre ka mbaruar”, ka shkruar Azizi./tetova1.mk











