Trendy

Vladimir Putin, i burgosuri i luftës së tij!

Para 2 orë

Sa herë që Perëndimi dhe Moska hyjnë në një cikël të ri diplomatik, duket se nisen nga i njëjti supozim: Kremlini dëshiron paqen, nëse i ofrohen stimujt e duhur. Por kjo logjikë transaksionale mund të mbështetet mbi një vlerësim të gabuar themelor.

Duke e trajtuar agresionin ushtarak si një kartë negociuese, politikëbërësit rrezikojnë të mos kuptojnë logjikën e brendshme të regjimit rus. Për Kremlinin, forca ushtarake nuk mund të shihet më vetëm si një instrument i politikës së jashtme. Lufta është bërë pjesë e mekanizmit të mbijetesës së vetë regjimit.

Tradicionalisht, lufta është konsideruar një instrument racional i politikës shtetërore. Shtetet e kanë përdorur forcën për të pushtuar territore, për të mbrojtur kufijtë ose për të garantuar interesa strategjike.

Lufta është përdorur gjithashtu për të stabilizuar regjimet nga brenda, duke e zhvendosur pakënaqësinë drejt një armiku të jashtëm. Ajo që e dallon përdorimin e forcës nga presidenti rus Vladimir Putin, është se pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 nuk u parapri nga një krizë e qartë politike e atij lloji që zakonisht shërben si justifikim për një fushatë të tillë.

Edhe më domethënës është fakti se Moska ka vijuar t’i drejtohet forcës ushtarake, pavarësisht kthimit gjithnjë e më të kufizuar në përfitime strategjike. Institucione kërkimore si Institute for the Study of War (ISW) në SHBA dhe Royal United Services Institute (RUSI) në Britani kanë vlerësuar se sulmet me raketa ndaj Ukrainës kanë sjellë përfitime të kufizuara ushtarake.

Atëherë lind pyetja kryesore: nëse vazhdimi i konfliktit po e humbet gjithnjë e më shumë logjikën e tij strategjike, cili është funksioni i vërtetë i luftës?

Kur lufta bëhet pjesë e pushtetit

Filozofja gjermano-amerikane Hannah Arendt, ofroi një këndvështrim të rëndësishëm për mënyrën se si funksionon pushteti autoritar. Në librin e saj “Mbi dhunën”, botuar në vitin 1970, ajo argumentonte se dhuna nuk duhet ngatërruar me pushtetin e vërtetë politik.

Pushteti mbështetet te legjitimiteti dhe aftësia e njerëzve për të vepruar së bashku. Ndërkohë, dhuna është një instrument që shfaqet veçanërisht kur pushteti vihet në pikëpyetje. Kur pushteti përqendrohet në duart e një sundimtari të vetëm, politika rrezikon të reduktohet në një zgjatim të personalitetit të liderit. Në këtë pikë, interesat e shtetit dhe ato të udhëheqësit fillojnë të paraqiten si një dhe e njëjta gjë.

Psikanalisti gjerman Erich Fromm e çon këtë analizë më tej, duke u përqendruar te dimensioni psikologjik i sundimit të personalizuar. Në regjime të tilla, argumenton Fromm, agresioni mund të bëhet vetëpërforcues: sa më shumë të mbështetet pushteti te detyrimi dhe kontrolli, aq më kërcënuese bëhet çdo humbje e tyre.

Në këtë këndvështrim, agresioni mund të shërbejë si një reagim kompensues ndaj ndjenjës së cenueshmërisë. Së bashku, këto dy qasje ndihmojnë për të shpjeguar se si frikërat dhe pasiguritë e një lideri mund të shndërrohen gradualisht në logjikën strategjike të një shteti.

Të kuptosh autoritarizmin e Putinit

Një tipar përcaktues i sundimit të Putinit, është se episodet e agresionit ushtarak janë përsëritur pas përpjekjeve të shteteve fqinje për të ndjekur një kurs më të pavarur. Në këtë këndvështrim, aktet e sovranitetit nga fqinjët mund të perceptohen nga një lider autoritar si humbje kontrolli.

Frikërat personale, pakënaqësitë dhe ndjenja e cenimit të autoritetit përkthehen më pas në kërcënime ndaj vetë shtetit. Kështu, rëndësia e vendeve si Çeçenia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia nuk qëndron vetëm te orientimi i tyre gjeopolitik, por edhe te ajo që pavarësia e tyre përfaqëson për Putinin.

Në Kremlin, sovraniteti i tyre nuk trajtohet si një mosmarrëveshje e zakonshme diplomatike. Ai perceptohet si sfidë ndaj autoritetit të Putinit dhe ndaj kufijve të kontrollit të tij. Por vetëm agresioni nuk mjafton për ta mbajtur në këmbë një sistem të tillë.

Regjimi duhet të mbrojë edhe botëkuptimin që e bën agresionin e vazhdueshëm të duket i domosdoshëm. Kjo është arsyeja pse propaganda e Kremlinit është kaq e rëndësishme. Rusia paraqitet vazhdimisht si një kështjellë e rrethuar, e kërcënuar nga armiq të jashtëm dhe nga një rrezik ekzistencial.

Në të njëjtën kohë, Putin paraqitet jo thjesht si një lider politik, por si mbrojtësi i “Russkiy Mir” (Botës Ruse), dhe si figura që duhet ta shpëtojë Rusinë nga shkatërrimi. Kështu krijohet një rreth vicioz: kërcënimi i perceptuar e bën agresionin të duket i domosdoshëm, ndërsa agresioni përdoret më pas si provë se kërcënimi ka qenë i vërtetë.

Kur agresioni paraqitet si mbrojtje

Ky botëkuptim alternativ shfaqet në forma të ndryshme. Sipas Arendt, ideologjia autoritare nuk synon vetëm t’i bindë njerëzit se një e pavërtetë është e vërtetë. Ajo synon edhe të dobësojë besimin se ekziston një e vërtetë objektive.

Pas masakrës së Buça-s në Ukrainë, në vitin 2022, kjo strategji u shfaq në mënyrë veçanërisht të qartë. Në vend që të ofronte një shpjegim të vetëm alternativ për ngjarjet, Kremlini përhapi versione të ndryshme dhe kontradiktore.

Sipas tij, vrasjet nuk kishin ndodhur, viktimat ishin aktorë, Ukraina i kishte inskenuar ngjarjet apo se provat ishin fabrikuar nga shërbimet sekrete perëndimore. Manipulimi shkon edhe më tej, përmes një riformulimi sistematik të gjuhës.

Agresioni paraqitet si mbrojtje, detyrimi si domosdoshmëri dhe pushtimi si çlirim. Duke krijuar një mjedis informativ ç’orientues, regjimi ushqen apatinë brenda vendit dhe pasigurinë jashtë tij. Njëkohësisht, ai gërryen besimin te institucionet demokratike dhe te debati publik, duke krijuar terren për një cikël të ri propagande.

Por pas dekadash të investuara në ndërtimin e këtij realiteti alternativ, Kremlini tashmë është bërë i burgosur i krijimit të vet. Paqja do ta sfidonte drejtpërdrejt narrativën e regjimit për një kërcënim ekzistencial.

Për të pranuar fundin e luftës, Kremlini do të duhej të përballej me një pyetje të pakëndshme: nëse kërcënimi ishte aq i madh dhe aq i menjëhershëm, pse lufta përfundoi pa e realizuar atë që propaganda premtonte? Shumëçka është investuar politikisht dhe ideologjikisht në këtë narrativë, ndaj ajo nuk mund të vihet tani lehtësisht në pikëpyetje.

Nëse ky botëkuptim do të fillonte të shembej, do të dobësohej një prej burimeve kryesore të legjitimitetit të Putinit. Pikërisht këtu bëhet i rëndësishëm argumenti i Arendt dhe Fromm: një realitet i ndërtuar për të justifikuar pushtetin, mund të shndërrohet me kalimin e kohës, në mekanizmin që e mban peng vetë pushtetin.

Paqja si kërcënim për regjimin

Për Putinin, paqja mund të jetë politikisht më e rrezikshme sesa lufta. Jo sepse kërcënon sigurinë e Rusisë, por sepse mund të vërë në pikëpyetje themelet mbi të cilat është ndërtuar legjitimiteti i regjimit.

Kjo është dilema me të cilën përballet diplomacia perëndimore: dialogu duhet të vazhdojë, por pa pranuar premisat themelore mbi të cilat Kremlini e ka ndërtuar justifikimin e luftës.

Politikëbërësit duhet të refuzojnë idenë se konflikti drejtohet thjesht nga nevojat e sigurisë së shtetit rus.

Nëse kërkesat e regjimit trajtohen automatikisht si pretendime racionale dhe të barasvlershme, ekziston rreziku që të legjitimohen edhe supozimet e rreme që e mbajnë konfliktin në këmbë.

Në fund, çështja nuk është vetëm se çfarë do të fitojë apo humbasë Rusia nga një marrëveshje paqeje. Çështja është nëse regjimi i Putinit mund të mbijetojë politikisht, pasi narrativa që e justifikon luftën të mos ketë më të njëjtën forcë.

Vetëm kur ky realitet alternativ të humbasë besueshmërinë, fillimisht jashtë Rusisë dhe më pas edhe brenda saj, lufta do të humbasë një pjesë të rëndësishme të dobishmërisë së saj politike dhe psikologjike.

Këtu qëndron edhe paradoksi i Putinit: lufta që duhej t’i forconte pushtetin është shndërruar në një kurth. Sa më gjatë të zgjasë, aq më e vështirë bëhet për të të dalë prej saj pa vënë në pikëpyetje vetë sistemin që e ndërtoi atë./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Eu Observer” 

Trending