Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë janë përshkallëzuar pas zhvillimeve të fundit në Siri, me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, që ka akuzuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për “tërheqjen e Turqisë në aventura të rrezikshme në Siri”.
Katz e bëri deklaratën të enjten përmes një reagimi në X, duke paralajmëruar se Izraeli nuk do të lejojë asnjë veprim që, sipas tij, kërcënon sigurinë e vendit.
“Izraeli nuk do të lejojë asnjë entitet të kërcënojë sigurinë e tij”, shkroi Katz në X.
“Është e preferueshme që Erdogan të vazhdojë të mbajë fjalime boshe dhe iluzive kundër Izraelit në parlamentin turk sesa të testojë vendosmërinë e Izraelit për të mbrojtur veten”, tha Katz.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli kundërshton vendosjen e trupave turke në Siri.
“Ne nuk do të tolerojmë një prani ushtarake turke në Siri që kërcënon Izraelin. Ne e bëmë të qartë mesazhin: Mos. Me sa duket, ata nuk e dëgjuan mjaftueshëm qartë, kështu që u siguruam që ata ta kuptonin më mirë”, tha Netanyahu.
Presidenca turke, në reagimin e saj, tha se “nuk do të bjerë në kurthin” e ngritur nga Izraeli.
Drejtori i komunikimit i presidencës turke tha se Ankaraja ka përvojë të mjaftueshme për të mos rënë në kurthin e figurave si Netanyahu, “të cilët synojnë të minojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.
Ndërkohë, në Tel Aviv, Yair Golan, udhëheqësi i demokratëve të opozitës së qendrës së majtë, e quajti sulmin izraelit në Siri “provokues dhe të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se e çon Izraelin “më pranë një përballjeje me Turqinë” dhe thellon përçarjen me aleatët e Tel Avivit, kryesori midis tyre Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni po punon për krijimin e një mekanizmi për çaktivizimin e konfliktit mes Izraelit, Turqisë dhe Sirisë. Këtë e ka konfirmuar i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, pasi Izraeli goditi një bazë ajrore siriane pranë kufirit me Turqinë.
Barrack, i cili është gjithashtu ambasador i SHBA-së në Turqi, tha se Turqia nuk ishte paralajmëruar për sulmet izraelite.
“Dhe si pasojë e vëzhgoi avionin që po shkonte në veri drejt territorit të saj dhe për këtë arsye mund të kishte përgatitur në mënyrë të arsyeshme përgjigjen e vet”, tha ai, duke iu referuar një reagimi të mundshëm ushtarak turk.
“Për fat të mirë, mendjet e qeta arritën të parandalonin përkeqësimin e mëtejshëm të situatës,” tha Barrack për Reuters në një intervistë telefonike.
“Prioriteti tani është ulja e tensioneve dhe lejimi i hapësirës për një qasje më të matur,” deklaroi ai.











