Banorët e Debreshit kanë ngritur zërin kundër mungesës së vazhdueshme të ujit të pijshëm, duke organizuar protestë dhe duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, problemi me furnizimin me ujë ka kaluar çdo kufi durimi dhe po vështirëson seriozisht jetën e përditshme të familjeve.
Në deklaratën e shpërndarë gjatë protestës, banorët shprehen se neglizhenca e institucioneve ndaj këtij problemi jetik ka shkaktuar revoltë dhe shqetësim të madh, ndërsa me ardhjen e mërgatës situata pritet të rëndohet edhe më shumë.
“Ne nuk kërkojmë premtime, por zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme. Uji është e drejtë themelore dhe jo privilegj”, thuhet në deklaratë.
Protestuesit kërkojnë:
* Furnizim të rregullt dhe të pandërprerë me ujë të pijshëm;
* Transparencë nga institucionet përgjegjëse;
* Masa urgjente për zgjidhjen përfundimtare të problemit;
* Përgjegjësi për neglizhencën që ka sjellë pasoja të rënda për banorët.
Me sloganet “Mjaft më me premtime!”, “Debreshi kërkon ujë dhe jetë dinjitoze!” dhe “Nuk kemi më durim – duam zgjidhje tani!”, banorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim nëse komuna nuk ndërmerr hapa konkretë për zgjidhjen e problemit.
Ata theksuan se në rast të mungesës së reagimit serioz nga autoritetet, protestat e ardhshme do të jenë edhe më masive.










