Prokuroria në Maqedoninë e Veriut ka zgjeruar hetimet në lidhje me kontrabandën me botoksët, për çka kanë arrestuar pesë persona, dy prej tyre mjek.
“Bazuar në provat e mbledhura, prokurori publik lëshoi një Urdhër për të zhvilluar një hetim kundër katër personave. Tre të dyshuar akuzohen për veprat penale “bashkim kriminal” dhe “shkelje e të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i kompanisë së tjetrit“, ndërsa një person dyshohet për veprën penale “shkelje e të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i kompanisë së tjetrit“, raporton Prokuroria.
Në kuadër të hetimeve për kontrabandë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kryer bastisje në pesë lokacione në Shkup, duke përfshirë edhe dy institucione shëndetësore.
Në këtë lëndë janë të përfshirë edhe 17 persona fizik dhe 6 persona juridikë.
Ndryshe, Gjykata Penale më 24 prill caktoi masën e paraburgimit efektiv për gjashtë persona të dyshuar për botoksin dhe fillerët e falsifikuar që u janë injektuar pacienteve në Maqedoninë e Veriut. Katër persona iu caktua masa e arrestit shtëpiak, ndërsa nëntë të tjerë morën masa kujdesi.
Gjatë vitit 2026, shtatë të dyshuar formuan dy grupe kriminale me qëllim përfitimi të paligjshëm, duke përdorur kompani si mbulesë për aktivitetet e tyre. Ata siguruan produkte të falsifikuara nga Serbia, Koreja dhe Turqia, të cilat i futën ilegalisht në vend për t’i shpërndarë dhe përdorur tek persona të tjerë.
Në hetim është përfshirë edhe një doganier që dyshohet se ka marrë ryshfet për të lejuar hyrjen e këtyre produkteve pa kontroll.
Hetimi përfshin edhe familjarë të disa të dyshuarve, të cilët, edhe pse në dijeni për aktivitetet ilegale, kanë ndihmuar në ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve të falsifikuara./Portalb.mk










