Gazeta amerikane New York Times i ka kushtuar një artikull debatit për koncertin e reperit amerikan Kanye Ëest, i njohur edhe si “Ye”, i planifikuar të zhvillohet në Tiranë, si dhe polemikave për projektet turistike në bregdetin shqiptar.
Sipas New York Times, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin për financimin e koncertit, duke deklaruar se Shqipëria ka akorduar rreth 4.5 milionë dollarë për organizimin e tij. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar koncertin “një mundësi fantastike për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik” për adhuruesit e muzikës.
Gazeta shkruan se “kryeministri nuk ka dhënë detaje se si do të përdoren fondet, ndërsa kujton se ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, kishte deklaruar më herët se për koncertin po ndërtohej një stadium i përkohshëm me kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh”.
Sipas artikullit, Rama pret që eventi të gjenerojë të paktën 114 milionë dollarë për ekonominë shqiptare. Ai argumenton se shpenzimet publike janë të nevojshme për të shmangur, sipas tij, “turpërimin e Shqipërisë” përballë afro 25 mijë vizitorëve nga 80 vende, të cilët kishin blerë prej kohësh biletat për koncertin. Kryeministri citohet të ketë deklaruar se aktiviteti do të ndikojë pozitivisht në konsumin, bizneset dhe të ardhurat e shtetit.










