Trendy
Screenshot

E ofendoj Mickoskin, arrestohet Strugani

Para 58 minuta

S.G. (52) nga Struga u arrestua pasi gjatë vizitës së kryeministrit Hristijan Mickoski në Tashmarunishtë më 2 Gusht kishte drejtuar fyerje verbale, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. VMRO-DPMNE bëri të ditur se personi i arrestuar kishte dokumente bullgare.

S.G. u arrestua pas një kallëzimi se ka kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, transmeton portali Lideri.mk.

 

“Më 2 gusht, S.G. (52) ka drejtuar fyerje verbale ndaj personave publikë të pranishëm në aktivitetin për shënimin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Për këtë incident dje reaguan edhe LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja.

LSDM pyeti: “A është e vërtetë se qytetarët e sulmuan verbalisht Mickoskin? A e shanë për shkak të premtimeve të papërmbushura? Është e qartë se pikërisht politika e përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe ndasive që ndjek Mickoski, madje edhe në fjalimin e tij për Ilindenin, është arsyeja pse qytetarët nuk mund ta durojnë. Pakënaqësia e qytetarëve është e madhe për shkak të gjendjes katastrofike ekonomike, ndotjes së ujit, izolimit të vendit dhe gënjeshtrave të përditshme të Mickoskit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE u përgjigj se LSDM-ja e ka njohur veten në fjalimin e Mickoskit në Pelincë dhe se ka konfirmuar koordinimin e plotë me qendra të jashtme.

“I përshëndetur nga qytetarët e pranishëm, ai lëvizte mes popullit ashtu siç i ka hije një lideri popullor, ndryshe nga kryetari i LSDM-së, i cili i ikën popullit me jahte të shtrenjta dhe u drejtohet qytetarëve përmes mesazheve të incizuara në një ditë si Ilindeni. Gjatë lëvizjes së kryetarit Mickoski mes qytetarëve, një person, në përpjekje për të provokuar incident, nën ndikimin e alkoolit, bërtiste fjalë me përmbajtje të papërshtatshme. Personi u izolua nga qytetarët e pranishëm dhe u identifikua nga pjesëtarët e MPB-së. Gjatë identifikimit, ai paraqiti letërnjoftim dhe pasaportë bullgare”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së

Trending