Trendy

Gjykata konfirmon: Binas Pajaziti nuk ka keqpërdorur mjetet financiare si drejtor i shkollës “Nikolla Shtejn”

Para 2 orë

Gjykata Themelore në Tetovë ka konstatuar se akuzat e bëra publikisht ndaj ish-drejtorit të SHMKM “Nikolla Shtejn”, Binas Pajaziti, për keqpërdorim të mjeteve financiare, malverzime dhe veprimtari të paligjshme kanë qenë të pavërteta dhe të pambështetura me prova.
Lajmin e bëri të ditur vetë Pajaziti përmes një postimi publik, duke njoftuar se gjykata ka vendosur në procesin gjyqësor të iniciuar prej tij kundër Liridon Dishës për shpifje dhe akuza të pabaza informon Tetovasot.
Sipas vendimit gjyqësor, gjatë procedurës nuk është paraqitur asnjë provë apo dokument relevant që do të vërtetonte pretendimet e bëra në konferencën për shtyp të mbajtur më 10 tetor 2024, ku Pajaziti ishte akuzuar për keqpërdorime gjatë ushtrimit të detyrës së drejtorit.
“Gjykata konfirmoi se këto akuza kanë qenë të pavërteta”, shkruan Pajaziti, duke theksuar se deklaratat e bëra publikisht kanë dëmtuar nderin, dinjitetin dhe integritetin e tij profesional e personal.
Ai vlerëson se dëmi i shkaktuar nga akuzat publike nuk matet vetëm me fjalë, por edhe me pasojat që lënë në familje, profesion dhe në figurën publike të një personi.
Megjithatë, Pajaziti njofton se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, pasi konsideron se dëmshpërblimi i caktuar nga shkalla e parë është simbolik dhe nuk përfaqëson një kompensim të drejtë për dëmin moral të shkaktuar.
“Askush nuk duhet të akuzohet publikisht pa prova dhe pa mbajtur përgjegjësi për pasojat e fjalëve të veta. Liria e shprehjes është një vlerë demokratike, por ajo nuk përfshin të drejtën për të shpifur”, thekson ai në reagimin e tij.
Në fund, Pajaziti falënderoi qytetarët, kolegët, miqtë dhe familjarët për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë procesit, duke shtuar se e vërteta dhe drejtësia duhet të mbrohen përmes institucioneve.Tetovasot

Trending