Trendy

Jashari pret Serwerin, në fokus avancimi i FSK-së drejt anëtarësimit në NATO

Para 2 orë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim një delegacion amerikan të kryesuar nga Daniel Serwer, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Delegacioni amerikan ishte pjesë e iniciativës “America250” dhe përbëhej nga profesorë, drejtues organizatash, veteranë ushtarakë dhe aktivistë të kësaj nisme.

Gjatë takimit, gjenerallejtënant Jashari falënderoi delegacionin për vizitën dhe për angazhimin e tyre në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes.

Jashari i informoi anëtarët e delegacionit për zhvillimet aktuale në FSK, avancimin e kapaciteteve të saj dhe rolin që forca luan në garantimin e sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

Nga ana tjetër, Serwer dhe anëtarët e delegacionit amerikan vlerësuan progresin dhe të arriturat e FSK-së, si dhe kontributin e saj në misionet ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e avancimit të FSK-së drejt integrimit në strukturat euroatlantike, përfshirë NATO dhe Bashkimi Evropian.

Në përmbyllje të takimit, gjenerallejtënant Jashari uroi delegacionin amerikan me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe partneritetit strategjik.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes, duke vlerësuar se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës mbetet një faktor kyç për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajon.

Trending