Banorët e Komunës së Gostivarit do të lirohen nga pagesa e faturave të ujit të pijshëm për muajin gusht, vendosi Këshilli i Komunës në seancën e sotme.
Kjo iniciativë u ndërmor si masë për të zbutur pasojat e krizës dhe epidemisë që zgjati rreth një muaj.
Gjatë seancës u shqyrtua edhe mundësia që qytetarët të përjashtohen nga pagesa për disa muaj. Sipas kryetarit të Këshillit, Valdet Xhaferi, ishte propozuar që përjashtimi të vlejë për dy ose tre muaj, por një vendim i tillë duhet të jetë i zbatueshëm në praktikë.
Ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Almir Dauti, shpjegoi se gjendja e jashtëzakonshme me furnizimin me ujë zgjati një muaj. Ai vlerësoi se përjashtimi nga pagesa për një muaj është i mjaftueshëm dhe se duhet të vlejë për muajin gusht.











