Policia e Tetovës ka shënuar rezultate të larta në zbardhjen e veprave penale, me një përqindje prej 87% të rasteve të zbardhura. Këto të dhëna i ka bërë të ditur sot Muhamed Ademi, komandant i Stacionit Policor Tetovë, gjatë paraqitjes së tij në mbledhjen e Këshillit Komunal të Tetovës, ku është diskutuar edhe për gjendjen e sigurisë në qytet. Sipas Ademit, rezultatet e arritura paraqesin një tregues të rëndësishëm të punës së policisë dhe efikasitetit në trajtimin dhe zbardhjen e rasteve penale.
“87 për qind zbardhje e veprave penale”, është një nga shifrat kryesore të prezantuara sot para këshilltarëve komunalë, duke e cilësuar këtë si një rezultat të lartë dhe ndër rezultatet më të mira të Policisë së Tetovës.
Ademi në këtë takim ka prezantuar edhe të dhëna të tjera lidhur me sigurinë dhe punën e policisë në territorin e Tetovës. Policia e Tetovës, ndërkohë, në periudhën e fundit ka shtuar aktivitetet edhe në fushën e sigurisë në komunikacion, parandalimit të veprave penale dhe kontrolleve në hapësirat publike dhe pranë institucioneve shkollore./Tema.mk/











