Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj gjashtë policëve të burgut, të cilët kanë mundësuar arratisjen e shtatë personave të dënuar të cilët kanë qenë duke vuajtur dënimin me burg në repartin e hapur të burgut të Idrizovës.
“Me dhënien e informacioneve të rreme policëve drejtues të burgut, kanë mundësuar që një grup të dënuarish të ndodhen jashtë burgut, në atë mënyrë që gjatë përcaktimit të numrit të të dënuarve të mungojnë shtatë persona. Po të njëjtën ditë, policët e denoncuar, të angazhuar në vende pune në institucion, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ndalimin e të dënuarit R.K. për t’u larguar nga burgu, i cili para tyre është drejtuar drejt derës hyrëse dhe është arratisur”, thonë nga MPB-ja.
Ndërkohë, Prokuroria ka hapur tashmë procedurë hetimore paraprake për këtë rast dhe ka caktuar masat kujdesi për pesë policë të burgut.
“Prokurori publik kompetent i propozoi gjykatësit të procedurës paraprake që pesë të dyshuarve t’u shqiptohet masa e kujdesit, përkatësisht: ndalimi për t’u larguar nga vendbanimi, detyrimi i të akuzuarit të paraqitet në organin kompetent shtetëror, konfiskimi i përkohshëm i dokumenteve të udhëtimit dhe ndalimi për ndërmarrjen e caktuar të aktiviteteve të punës – polic në burg”, thonë nga PTHP NKOK.
Prokuroria bën të ditur gjithashtu se të njëjtat masa tashmë janë caktuar edhe për njërin prej punonjësve të dyshuar të burgut në një rast tjetër ndaj tij. Sipas Kodit Penal për veprën për të cilën akuzohen, parashikohet dënim me burg nga tre muaj deri në pesë vjet./Alsat.mk