Trendy

Përveç Hormuzit, Irani ka një kartë të re në duar!

Para 3 orë

Pas ndërprerjeve të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, Irani po sinjalizon se mund të zgjerojë presionin ndaj Shteteve të Bashkuara duke përdorur një tjetër pikë strategjike: ngushticën Bab el-Mandeb, hyrjen drejt Detit të Kuq, përmes aleatëve të tij Houthi në Jemen, shkruan Reuters.

Sipas agjencisë, përshkallëzimi i sulmeve amerikane brenda Iranit dhe intensifikimi paralel i veprimeve të Houthive tregojnë se Teherani po e zgjeron konfliktin përtej Gjirit Persik, duke synuar rrugët kryesore të tregtisë dhe furnizimit global me energji.

Bab el-Mandeb është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, pasi lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përmes tij kalojnë eksportet e naftës nga Arabia Saudite dhe një pjesë e konsiderueshme e transportit detar ndërkombëtar.

Paralajmërimi u bë nga Mohammed al-Farah, anëtar i byrosë politike të lëvizjes Ansarullah (Houthi), i cili deklaroi se nëse Arabia Saudite vazhdon sulmet ndaj Jemenit, ngushticat e Hormuzit dhe Bab el-Mandeb mund të mbyllen në mënyrë të koordinuar.

Sipas tij, një skenar i tillë do të shkaktonte një tronditje të madhe në tregjet ndërkombëtare, duke e çuar çmimin e naftës deri në 200 dollarë për fuçi.

Analistët e cituar nga Reuters vlerësojnë se, nëse Hormuzi përfaqëson mjetin më të fuqishëm strategjik të Iranit, Bab el-Mandeb mund të jetë “karta e fundit” që Teherani rezervon në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Profesori i Lindjes së Mesme, Fawaz Gerges, tha se Irani po përpiqet t’i dërgojë Uashingtonit mesazhin se është në gjendje të kërcënojë njëkohësisht dy nga nyjet më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë.

“Nuk është më në rrezik vetëm Hormuzi, por edhe Bab el-Mandeb”, citohet të ketë deklaruar ai.

Nga ana tjetër, ish-negociatori amerikan për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, argumenton se objektivi i Uashingtonit mbetet ndryshimi i llogaritjeve strategjike të Iranit, me synimin për ta rikthyer atë në negociata.

Ndërkohë, ekspertët kujtojnë se Houthit kanë treguar edhe më parë aftësinë për të goditur transportin detar në Detin e Kuq. Pas nisjes së luftës në Gaza në tetor 2023, grupi ndërmori sulme ndaj anijeve tregtare, duke detyruar kompani të mëdha të ndryshonin itineraret dhe të lundronin përreth Afrikës, me pasoja të ndjeshme në kostot e transportit dhe zinxhirët globalë të furnizimit.

Megjithatë, disa analistë vlerësojnë se Houthit nuk kanë gjasa të ndërmarrin një bllokadë të plotë të Bab el-Mandeb pa një vendim të qartë nga Teherani. Një lëvizje e tillë, sipas tyre, mund të provokonte një përgjigje të gjerë ushtarake nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, me synimin për të dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të grupit jemenas.

Analiza e Reuters thekson se rreziku kryesor nuk është domosdoshmërisht një luftë e drejtpërdrejtë në shkallë të gjerë, por një përshkallëzim gradual i konfliktit, ku secila palë rrit presionin pa kaluar kufirin e përplasjes së hapur, duke e zhvendosur betejën nga fusha ushtarake te ekonomia globale.

Trending