Trendy

Policia shqiptare arreston dy shtetas të Maqedonisë, po kërkoheshin nga Interpoli

Para 2 orë

Policia e Shqipërisë ka njoftuar finalizimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “Fury”, gjatë të cilit janë arrestuar në Durrës dy shtetas të kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për vepra të rënda penale.

Sipas kumtesës së Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

“Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë kontrollit të personave të arrestuar janë gjetur dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara.

“Dokumentet dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend”, njofton Policia.

Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Xh. R., 26 vjeç, i cili dyshohet se u ka siguruar dy të kërkuarve dokumente false.

“Xh. R. u arrestua në flagrancë për veprat penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, pasi dyshohet se iu ka siguruar shtetasve të kërkuar dokumentet e identifikimit të dyshuara të falsifikuara”, thuhet në kumtesë.

Policia bën të ditur se gjatë kontrollit në banesën e Xh. R. është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e vogël e lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv ndërmjet strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të koordinuara operacionale, u finalizua operacioni i koduar ‘Fury’”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, homologët në Maqedoninë e Veriut dhe partnerët e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) pranë ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Shkup./Tv21

Trending