Qyteti i Shkupit nuk ka marrë para nga Qeveria për asnjë nga 20 projektet me të cilat ka aplikuar në shpalljen për ndihmë ndaj komunave për realizimin e projekteve infrastrukturore, transmeton TV21. Edhe projektet e komunës së Strumicës, Sarajit dhe Tearcës janë refuzuar, me arsyetimin se nuk i kanë plotësuar kushtet.
Në shpalljen e Qeverisë aplikuan 80 komuna me 357 projekte. Komisioni vlerësues i përbërë nga përfaqësues të gjashtë ministrive përkatëse vlerësoi se 77 komuna kanë plotësuar kushtet, me çka do të financohen 274 projekte. Vlera totale e projekteve është 65 milionë euro.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski thotë se Qeveria e ka bërë përzgjedhjen në bazë të propozim projektit të paraqitura nga gjashtë ministritë përkatëse.
“Vlerësimi dhe përzgjedhja është bërë nga komisionet vlerësuese. Pothuajse të gjithë kryetarët e komunave kanë marrë para, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Komuna e Strumicës nuk pranoi sepse ka aplikuar me projekt që tashmë është tenderuar. As Qyteti i Shkupit nuk ka marrë para, kështu ka vendosur komisioni vlerësues dhe për momentin nuk kam më shumë detaje. Më së shumti mjete, gati 243 milionë denarë, do të marrë Komuna e Kumanovës, e cila pjesën më të madhe të ndihmës financiare do ta ndajë për projekte në fushën e infrastrukturës dhe planifikimit komunal. Komuna Qendër mori 90 milionë denarë për rindërtimin e sallës sportive ‘Rabotniçki’”, thotë Perinski për SDK.