SHBA shqyrton sulme të reja ndaj Iranit, në prag të zgjedhjeve të nëntorit
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja ushtarake ndaj Iranit, disa javë para zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen më 3 nëntor. Lajmi është raportuar nga revista amerikane “The Atlantic”, e cila citon zyrtarë amerikanë të njohur me diskutimet.
Sipas raportimit, Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Pentagonit të paraqesë opsione konkrete për sulme ndaj objektivave iraniane, të cilat mund të realizohen në javët e ardhshme.
Megjithatë, diskutimet janë ende në zhvillim dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar. Ende nuk dihet se sa i gjerë mund të jetë një operacion i mundshëm dhe cilat objektiva do të përfshiheshin. Vendimi përfundimtar i takon presidentit Trump, i cili duhet të japë miratimin për çdo operacion të ri ushtarak.
Në fokus edhe zgjedhjet e 3 nëntorit.
Sipas zyrtarëve të cituar nga “The Atlantic”, planifikimi i mundshëm lidhet edhe me synimin e administratës Trump për të paraqitur përparim në përballjen me Iranin përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Në të njëjtën kohë, një tjetër çështje e rëndësishme për administratën amerikane është ulja e çmimeve të karburanteve, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë te ekonomia dhe konsumatorët amerikanë.
Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të përfundojë shumë shpejt, duke lënë të kuptohet se një zhvillim i tillë mund të ndodhë pak para ose menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit.
Deri tani, Uashingtoni nuk ka bërë të ditur zyrtarisht ndonjë vendim për nisjen e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit.











