Shqiptarët që jetojnë në Holandë kanë organizuar një protestë në Hagë në mbështetje të protestave që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me protestuesit në Shqipëri përmes këngëve dhe thirrjeve patriotike, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas organizatorëve, protesta kishte për qëllim të përcillte mesazhin e mbështetjes së diasporës për kërkesat e qytetarëve në Shqipëri, të cilët prej ditësh po protestojnë për ndryshime në skenën politike të vendit.
Protestuesit kërkuan forcimin e luftës kundër korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.
Tubimi në Hagë vjen në një kohë kur protesta të ngjashme janë organizuar edhe nga komunitete shqiptare në vende të tjera evropiane, duke reflektuar interesimin dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimet politike në Shqipëri.
Ndërkohë, në Shqipëri është paralajmëruar një tjetër protestë kombëtare, e cila pritet të shënojë ditën e 11-të të mobilizimit qytetar dhe të mbledhë protestues nga qytete të ndryshme të vendit. /Albinfo.ch










