Trendy

Tensione në Egje, Turqia paralajmëron Greqinë: Mos e çoni rajonin drejt një krize të re

Para 1 orë

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i bëri thirrje Athinës të respektojë detyrimet që, sipas Ankarasë, burojnë nga traktatet ndërkombëtare. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Greqia nuk përbën kërcënim për askënd, por nuk do të pranojë udhëzime për mënyrën se si forcon mbrojtjen e saj…

Ankaraja e konsideron praninë ushtarake të Greqisë në disa ishuj të Egjeut si kërcënim për sigurinë e Turqisë, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, në një periudhë tensionesh të shtuara mes dy vendeve fqinje.

“Ne nuk duam që Greqia të bëhet një instrument në duart e atyre që synojnë të destabilizojnë rajonin dhe ta zhysin atë në kaos; ne duam të ruajmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Fidan të martën gjatë një vizite në Azerbajxhan, sipas gazetës greke Kathimerini.

Kryediplomati turk pretendoi se Athina shkel traktatet ndërkombëtare duke mbajtur prani ushtarake në disa prej ishujve.

“Militarizimi i ishujve që kanë status të çmilitarizuar përbën kërcënim për ne. I bëjmë thirrje fqinjit dhe aleatit tonë që t’i zbatojë në mënyrë më të përgjegjshme detyrimet që burojnë nga traktatet ndërkombëtare, në frymën e aleancës”, tha Fidan, duke shtuar “Greqia nuk duhet t’u shtojë një tjetër provokim sfidave të shumta të sigurisë me të cilat përballet rajoni ynë”.

Megjithëse janë aleate në NATO, Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje prej dekadash për një sërë çështjesh dypalëshe. Mes tyre përfshihen përcaktimi i kufijve detarë, pretendimet për shelfin kontinental dhe çështja e pazgjidhur e Qipros.

Tensionet mes Athinës dhe Ankarasë janë shtuar së fundmi, veçanërisht pas forcimit të marrëdhënieve mes Greqisë dhe Izraelit. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e ka interpretuar këtë afrim si një përpjekje për të “rrethuar” Turqinë.

Në fillim të këtij muaji, Greqia i paraqiti Ankarasë një ankesë zyrtare lidhur me shpalljen nga Turqia të parqeve detare “kombëtare”. Athina i konsideron këto përcaktime “të pavlefshme dhe pa efekt juridik”, duke argumentuar se ato shtrihen në zona jashtë juridiksionit turk dhe brenda shelfit kontinental që pretendon Greqia.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ngriti këtë çështje edhe gjatë një takimi në Athinë me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.

“Vendi im është një vend paqësor që nuk përbën kërcënim për askënd. Megjithatë, ai nuk do të pranojë udhëzime nga askush se si duhet të forcojë kapacitetet e tij mbrojtëse”, deklaroi Mitsotakis.

Deklaratat pasqyrojnë qëndrimet përkatëse të Ankarasë dhe Athinës në mosmarrëveshjen për statusin dhe militarizimin e ishujve të Egjeut.

Trending