Trendy

Vazhdojnë protestat në Shqipëri, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Para 57 minuta

Përplasjet me policinë shënuan protestën e 58-të të qytetarëve kundër qeverisë në Shqipëri. Në vazhdën e situatave të krijuara përgjatë këtyre javëve, sot pranë godinës së Parlamentit, njëri nga organizatorët e protestës u tërhoq zvarrë nga uniformat blu dhe u shoqërua me forcë drejt automjetit të policisë ndërsa efektivët përdorën gaz ndaj një të riu protestues, i cili u detyrua të merrte ndihmë mjekësore.

Pesë persona u shoqëruan nga policia gjatë tubimit, ndërsa protestuesit këto ndalesa i cilësojnë si të paligjshme, pasi nuk janë kryer veprime provokuese dhe reagimi i policisë ka qenë i pajustifikuar.

“Protestuesit kanë udhëtuar lirisht në rrugët e qytetit. Policia në mënyrë të paprovokuar ka reaguar në mënyrë të jashtëligjshme. Nuk ka pasur provokim, plani i masave i policisë doli bllof. Nuk pati asnjë përplasje, ndalimet janë të paligjshme,” tha Dritan Goxhaj, aktivist.

Në përkrahje të protestuesve pas shoqërimit të tyre nga policia, një pjesë e turmës u drejtua drejt Komisariatit numër 1 të Policisë. Pas një periudhe ndalimi, protestuesit u liruan nga autoritetet policore.

Për shkak të tensioneve të ditëve të fundit, ku disa protestues hodhën vezë drejt automjeteve që transportonin deputetë e ministra, policia shtoi masat e sigurisë gjatë protestës së sotme. Qindra qytetarë u rikthyen edhe këtë pasdite në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar protestën e përditshme. Marshimi nisi nga Sheshi Skënderbej dhe vijoi drejt Kryeministrisë, ku protestuesit përsëritën kërkesat e tyre për ndryshime politike, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe garantimin e zgjedhjeve të lira. /Alsat.mk

Trending