Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

“BE nuk është bankomat, por hapësirë lirie e sigurie”, Rama: Nuk kemi alternativë tjetër veç Evropës

“BE nuk është bankomat, por hapësirë lirie e sigurie”, Rama: Nuk kemi alternativë tjetër veç Evropës

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shqiptarët mbeten populli më optimist në raport me integrimin evropian, duke theksuar se Bashkimi Evropian është objektivi i përbashkët i vendit, pavarësisht konflikteve të brendshme, polarizimit politik dhe protestave.

Gjatë bashkëbisedimit në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, Rama u ndal te historia e veçantë e Shqipërisë, duke bërë një dallim mes saj dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i qeverisë kujtoi se Shqipëria nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe as e ish-bllokut lindor, nga i cili, sipas tij, u shkëput që në vitet 1960.

Më pas, ai tha se vendi krijoi një marrëdhënie të veçantë me Kinën e Mao Ce Dunit, duke e cilësuar Shqipërinë e asaj kohe si “Korenë e Veriut të Evropës”.

Lexo edhePlani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?

Rama e përshkroi periudhën pas rënies së regjimit komunist si një transformim të fortë të shoqërisë shqiptare, e cila, sipas tij, u kthye në një mbështetëse të vendosur të Perëndimit.

“Dhe pastaj, kur dolëm nga ky ferr, dolëm të transformuar, tërësisht në talebanë perëndimorë, në një kuptim, domethënë fanatikë të Perëndimit, për arsye të mira, sepse ne kemi normën më të lartë të euro-optimizmit në Evropë dhe mbetemi të tillë”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se për shqiptarët Bashkimi Evropian nuk shihet thjesht si një burim përfitimesh ekonomike, por si një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi.

“Kështu që për shqiptarët dhe për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është ajo që ishte për etërit themelues: jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi”, deklaroi Rama.

Kryeministri nënvizoi se, pavarësisht përplasjeve politike, polarizimit dhe protestave në vend, ekziston një dakordësi e gjerë mes shqiptarëve për orientimin evropian të Shqipërisë.

Sipas tij, vendi nuk ka dhe nuk kërkon asnjë alternativë tjetër përveç projektit evropian, ndërsa ndikimi i tij mbetet përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë.

“Pavarësisht konflikteve të brendshme, polarizimit, pikëpamjeve politike apo protestave, të gjithë, absolutisht të gjithë, bien dakord që Evropa është objektivi dhe destinacioni ynë i përbashkët. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër dhe as nuk e kërkojmë një të tillë”, përfundoi Rama.

Ai sakaq ka komentuar emigrimin e të rinjve shqiptarë, duke u shprehur se largimi i tyre lidhet edhe me rritjen e ambicieve dhe pritshmërive, në një vend që sipas tij ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

I pyetur për këtë çështje gjatë bashkëbisedimit në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, Rama tha se Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike, të pagave, turizmit dhe eksporteve, por paralelisht me këtë zhvillim janë rritur edhe pritshmëritë e qytetarëve.

Sipas kryeministrit, fenomeni duhet parë edhe në kontekstin e transformimit të vendit, i cili, siç u shpreh ai, nuk është më i njëjti me Shqipërinë e dhjetë viteve më parë.

“Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi rritet, eksportet rriten, por në të njëjtën kohë ambiciet dhe pritshmëritë e njerëzve rriten po ashtu. Pra, ajo me të cilën po përballemi është ajo që unë do ta quaja evoluim i pritshmërive më të larta, sepse nuk jemi më vendi i dhjetë viteve më parë. Jemi një vend krejt ndryshe”, u shpreh Rama.

Për të ilustruar ndryshimin e Shqipërisë, kryeministri iu referua edhe mënyrës se si vendi pasqyrohet në mediat franceze.

Sipas tij, ndërsa një dekadë më parë Shqipëria përmendej rrallë dhe kryesisht për arsye negative, sot ajo është më e pranishme në shtypin francez për turizmin, plazhet, mikpritjen dhe bukuritë natyrore.

“Dhjetë vjet më parë, do të shfaqeshim në shtypin francez shumë rrallë dhe për arsye shumë negative. Ndërkohë, sot jemi shumë shpesh të pranishëm në shtypin francez për arsye shumë të mira, si për shembull plazhet, mikpritja, malet e mrekullueshme apo si një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar. Është një vend ndryshe pra”, deklaroi kryeministri.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme