Klubi futbollistik Flamurtari nga Debreshi ka shprehur ankesë për referimin në ndeshjen me Genç Kalemler e Gostivarit që përfundoi me rezultat 1:1. Ankesa më të mëdha ka pasur për referin kryesor Marko Spiroskin.
Ja çfar thuhet në reagimin e K.F Flamurtari.
“SKENA TË TURPSHME QË NUK KANË VEND NË FUTBOLL!
Gjatë pjesës së parë, referimi ishte relativisht më i balancuar. Por ajo që ndodhi në pushimin mes dy pjesëve është skandaloze dhe ngre pikëpyetje shumë serioze mbi integritetin e ndeshjes.
Përfaqësues të stafit të ekipit vendas hyjnë në dhomën e zhveshjes së referëve, duke u ofruar qese me ushqime dhe pako me përmbajtje të dyshimtë. E gjithë kjo ndodh pa asnjë reagim nga delegati i ndeshjes, i cili duhet të jetë aty pikërisht për të garantuar rregullsinë dhe korrektësinë e saj.
Kur pjesëtarët e stafit tonë kërkojnë shpjegim për këtë situatë, përgjigjja e delegatit është edhe më shqetësuese: “Është normale, ata janë nikoqirë!”
Jo, zoti delegat! Të qenit nikoqir nuk të jep të drejtën të hysh në dhomën e referëve dhe të krijosh situata të tilla. Mikpritja nuk mund të përdoret si justifikim për veprime që cenojnë besueshmërinë e garës.
Dhe ajo që ndodhi më pas në pjesën e dytë ishte edhe më shqetësuese. Referimi ndryshoi dukshëm, me vendime të njëanshme, tolerim të ndërhyrjeve të rënda dhe një përshtypje të qartë se prioriteti i vetëm ishte që ekipi vendas të mos dilte i humbur nga kjo ndeshje.
Futbolli nuk është pronë e nikoqirit, referëve apo delegatëve. Futbolli u përket lojtarëve, klubeve dhe tifozëve!
Ne nuk kërkojmë favore, nuk kërkojmë privilegje dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa drejtësi dhe trajtim të barabartë.
Këto skena janë të papranueshme, të turpshme dhe dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit. Kërkojmë që organet kompetente të marrin seriozisht këto ngjarje, të shqyrtojnë pamjet dhe të japin përgjegjësi për gjithçka që ndodhi.
RESPEKT PËR FUTBOLLIN! DREJTËSI NË FUSHË!”, përfundon reagimi I K.F Flamurtarit të Debreshit. /tetova1/
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












