Pas urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan për pezullimin e të gjitha ndihmave financiare për shtetet e huaja, brenda 90 ditësh duhet që të shqyrtohet se cilat programe do të vazhdojë t’i mbështesë administrata e re, të cilat sipas rekomandimit, duhet të jenë në përputhje me këndvështrimin e Trumpit për politikën e jashtme, shkruan Alsat.
Vendimi, me të cilin janë informuar të gjitha ambasadat amerikane, prekë OJQ-të dhe organizatat të ndryshme ndërkombëtare. Prej vitit 1993, populli amerikan përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, ka dhënë më shumë se 840 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut për të avancuar vendin drejt objektivit të tij të integrimit euroatlantik, duke përfshirë BE-në dhe NATO-n.
Ndihmat jepen për të luftuar korrupsionin, ngritur nivelin llogaridhënies dhe transparencës, nxitur aktivizmin qytetar dhe të rinjtë. Por, jo vetëm kaq, ndihmat janë edhe për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit energjetik, por edhe sigurinë kibernetike.
Sipas të dhënave të publikuara nga USAID prej vitit 2014 deri në vitin 2023, USAID ka investuar në programet për Maqedoninë e Veriut rreth 130 milionë dollarë. Siç mund të shihet në grafikon, vlera vjetore kap shifrat prej 12 deri më 20 milionë dollarë. Varësisht prej periudhës kohore, USAID ka financuar programe të fushës qeverisje të mirë dhe shoqëri civile, biznes dhe shërbime tjera, konflikti; paqja dhe siguria, por edhe në arsim, shëndetësi, bujqësi, ekologji, administratë, industri, e të tjera.
Me gjithë investimet e vazhdueshme amerikane në forcimin e demokracisë dhe institucioneve, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me një ndër armiqtë të mëdhenj të shtetit ligjor, korrupsionin, të cilën DASH nga viti në vit rithekson shqetësimet e saja serioze. Gjyqësori, gjithashtu është një prej fushave më të errëta, për çka madje ambasadorja aktuale Angela Ageler, gjatë vitit 2023 u kishte shkruar një letër institucioneve gjyqësore dhe Qeverisë, ku kishte shprehur zhgënjimin e saj për rezultatet e ulëta, krahas investimit amerikan. Një letër të ngjashme në vitin 2018 e kishte adresuar edhe ish ambasadori amerikan Jess Baily i cili kishte porositur gjykatësit që të mos arsyetohen në emrin e tij dhe të SHBA-ve kur të marrin vendime.
Ambasadorët, në vazhdimësi kanë dhënë kritika të drejtpërdrejta në lidhje me mungesën e rezultateve, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat, mbase janë një ndër arsyet pse vendi po braktiset nga të rinjtë.
Krahas këtij urdhri, Trumpi ka nënshkruar edhe urdhra të tjerë për shtrëngimin e imigracionit, ndryshimin e politikave të kufirit, por edhe zbatimin e tarifave, apo të drejtat civile dhe punësimi i punëtorëve federalë.