Deputeti dhe koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe akuzave të fundit të cilat burojnë nga strukturat qeveritare të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe partneri i saj shqiptar, VLEN.
Reagimi vjen pas një mesazhi-informate që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme u kanë dërguar ambasadorëve në Shkup, ku aludohet për një skenar të gjerë destabilizues të organizuar nga zyrtarë të BDI-së dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Bexheti e ka quajtur këtë një fushatë të turpshme shpifjesh dhe fabrikimesh politike të inskenuar nga Hristijan Mickoski dhe “punëtori” i tij shqiptar në qeveri, Izet Mexhiti.
“VMRO dhe VLEN, të zhytur në paaftësi dhe në mungesë totale vizioni, po përpiqen me çdo kusht të fshehin dështimet e tyre duke u marrë me shpifje, manipulime dhe akuza të rreme ndaj të tjerëve. Kryezëdhënësi i kësaj fushate të turpshme është Timço Mucunski – zëri më i zellshëm i viktimizimit të rremë para faktorit ndërkombëtar, në një skenar të inskenuar nga Mickoski dhe ‘punëtori’ i tij Izet Mexhiti.”
Më tej, Bexheti akuzon qeverinë për fabrikim të një skenari fiktiv, përmes të cilit synojnë të mbulojnë dështimet dhe të devijojnë vëmendjen nga paaftësia e tyre për të qeverisur.
“Në vend që të japë llogari për paaftësinë dhe mungesën totale të rezultateve, Mucunski shpif dhe fabrikon skenarë imagjinarë për ‘destabilizim’, vetëm për të krijuar tymnajë politike dhe për të mbuluar realitetin që qytetarët tashmë e njohin mirë: dështimet janë të tyre në rrugën tonë evropiane.”
Ai thekson se “të vetmit që po destabilizojnë vendin janë VMRO dhe VLEN, me politikat e tyre të dështuara, me kapjen e institucioneve dhe me sabotimin sistematik të çdo përpjekjeje për integrim evropian”.
“Kur nuk ke asnjë zgjidhje për qytetarët, kur nuk ke vizion dhe asnjë rezultat për të treguar, si dhe nënçmim total të shqiptarëve – e vetmja armë që të mbetet është gjuha e shpifjes dhe e manipulimit. Por qytetarët nuk mashtrohen më. Të gjithë e shohin qartë kush punon dhe kush gënjen. Kush angazhohet për rrugën tonë evropiane. Gënjeshtrat e Mucunskit dhe të të tjerëve nuk do t’i shpëtojnë nga llogaridhënia. Dhe koha e llogaridhënies po afrohet.”
Në mesazhin që zyrtarë të qeverisë ua kanë dërguar ambasadorëve të huaj në Shkup, përmenden Blerim Bexheti dhe Danella Arsovska si organizatorë të supozuar të zjarrvënieve të qëllimshme në qytet. Aty thuhet se:
“Sipas këtyre të dhënave, nën drejtimin e Blerim Bexhetit dhe në koordinim me Danella Arsovskën, po organizohen qëllimisht zjarre të qëllimshme në zona të ndryshme të qytetit.”
Po ashtu, thuhet se në këto veprime janë përfshirë edhe individë nga Kosova dhe Shkupi, përfshirë përdorimin e fëmijëve në operacione të dyshimta.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka hedhur poshtë çdo përfshirje dhe e ka quajtur këtë një skenar qesharak të “Shtabit për menaxhim të krizës”:
“Kanë trilluar një skenar të ri: kur të ketë zjarre, të thonë se unë jam fajtore, që i organizoj për të destabilizuar shtetin. Dhe këtë, me gjithë mend, e kanë shkruar nëpër mesazhe, madje edhe ambasadorëve, për ta paralajmëruar ‘planin’ që, gjoja, ua kanë dhënë burime ‘të sigurta’ të shërbimeve inteligjente. A keni fare turp, bashkë me komandantët tuaj të dashur të UÇK-së?”









