Trendy

VLEN: Pesë vite, shtatë muaj e tetë ditë – premtimi i Bujar Osmanit për autostradën Shkup–Bllacë mbeti vetëm fotografi

Para 7 muaj

Koalicioni qeveritar VLEN ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit Bujar Osmani, duke e akuzuar se për më shumë se një dekadë në postet më të larta shtetërore nuk ka lënë pas asnjë rezultat konkret.

“Kanë kaluar 5 vite, 7 muaj dhe 8 ditë nga nënshkrimi solemn i marrëveshjes për dy kilometrat e para të autostradës Shkup–Bllacë, ndërsa premtimi i Bujar Osmanit, me të cilin u fotografua dhe u mburr politikisht, mbeti i parealizuar”, thuhet në reagim.

Sipas VLEN-it, gjatë gjithë kësaj kohe Osmani ka prodhuar vetëm postime në rrjetet sociale, video promovuese dhe deklarata boshe, ndërsa rezultatet kanë qenë ZERO.

Në reagim kujtohet se Bujar Osmani ka qenë ministër në qeverinë e Gruevskit, zëvendëskryeministër për çështje evropiane, si dhe ministër i jashtëm në kohën e Zaevit dhe Kovaçevskit, por pa asnjë projekt të realizuar për komunat shqiptare.

“Mjaft më me ngjarje promovuese për premtime të mëdha e të rreme. Bujar Osmani nuk ka çfarë të tregojë pas vetes – as projekte të realizuara, as vepra të ndërtuara, as ndihmë konkrete për qytetarët”, vijon reagimi.

Koalicioni VLEN e cilëson Osmanin si politikan karrierist, pa rezultate, duke paralajmëruar se premtimet e tij të tanishme për Çairin nuk ndryshojnë aspak nga ato për autostradën drejt Bllacës: të zbrazëta dhe të pabazuara.

Trending