Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bujar Osmanit për “vetting” dhe reforma, duke e cilësuar atë si politikan të kapur nga skandalet dhe raporte të shumta të revizionit për keqpërdorime.
Në reagimin e tyre, VLEN thekson se Osmani, gjatë karrierës së tij, ka lejuar hyrjen e kompanive të huaja në tregun e kazinove dhe ka shkelur interesin shqiptar në favor të MTEL-it dhe oligarkëve të huaj.
Koalicioni VLEN akuzon Osmanin se nuk ka guximin të përballet me të kaluarën e tij dhe e pyet publikisht: pse nuk flet për vettingun e vetvetes, pse shkoi në Hungari për të takuar Gruevskin dhe çfarë kërkoi prej tij. Ata shtojnë se gjatë qeverisjes së tij, shqiptarët ishin më të varfër, më të papërfaqësuar dhe më të zhgënjyer se kurrë.
VLEN nënvizon se partia nuk ka frikë nga reforma dhe transparenca, pasi është e pastër dhe e përgatitur, dhe shpreh gatishmërinë për të qenë alternativa politike e shqiptarëve që nuk pajtohen me keqpërdorimet e BDI-së.
REAGIMI I PLOTË:
Është e pabesueshme të dëgjosh Bujar Osmanin të flasë për “vetting” e reforma. Ky është njeriu mbi të cilin rëndojnë raporte të shumta të revizionit për keqpërdorime, njeriu që ka qenë i përfshirë në dosje të hapura të Prokurorisë Speciale Publike, njeriu që si ministër i dha dritë jeshile hyrjes së MTEL-it, duke shitur interesin shqiptar. Kështu e nis reagimin koalicioni VLEN, ndërsa akuzojnë se “ky është i njëjti ministër që lejoi kompanitë serbe e malazeze të marrin licenca për të sunduar me biznesin e kazinove, duke e kthyer shtetin në terren të oligarkëve të huaj”
“Ky është Bujar Osmani, politikan i kapur nga skandalet, që nuk ka guximin të përballet me të kaluarën e vet, por sot guxon të predikojë moral politik. Prandaj ne e pyesim publikisht: Pse nuk flet për vettingun e vetvetes? Pse nuk tregon pse shkove në Hungari për ta takuar Gruevskin? Çfarë kërkove prej atij që iku nga drejtësia? Pse gjatë qeverisjes suaj, shqiptarët ishin më të varfër, më të papërfaqësuar dhe më të zhgënjyer se kurrë?”. Shqiptarët, sipas VLEN-it, tashmë e kanë kuptuar të vërtetën. “BDI nuk është më as ‘shtëpi politike’, as ‘mbrojtëse e interesave kombëtare’, por një strukturë që ekziston vetëm për të shpëtuar fytyrën e disa individëve të diskredituar. VLEN është përgjigjja. Me ekipin tonë të ri, të pastër dhe të përgatitur, ne nuk i trembemi as reformës e as transparencës sepse nuk kemi çfarë të fshehim”.










